Koronavirusi po vazhdon të marrë shumë jetë në gjithë botën.
Masat e distancimit social funksionojnë, por kjo nuk duhet të krijojë euforinë se pas disa javë distancimi, njerëzimi e ka mundur koronavirusin, thotë Dr. Jennifer Nuzzo (Nazo), epidemiologe në Universitetin Johns Hokins.us
Ekspertja foli edhe mbi shpresat për një kurë apo vaksinë kundër koronavirusit. Po ashtu një sqarim nga Dr. Nuzzo mbi studimin se virusi qëndron aktiv në ajër për orë të tëra. Ekspertja thotë nuk ka asgjë për t’u shqetësuar.
Situata në shumë komunitete amerikane është kritike, me shtimin e personave të diagnostikuar me koronavirus. Zgjerimi i masave të diagnostikimit do ta identifikojë një numër edhe më të madh rastesh, që së shpejti do të kapërcejnë kapacitetet ekzistuese thotë Dr. Jennifer Nuzzo:
“Sistemi shëndetësor nuk ka kapacitet të mjaftueshëm shtesë. Nuk kemi një numër të mjaftueshëm mjekësh e infermierësh, apo pajisjesh mbrojtëse, e mjete teknologjike si për shembull oksigjen për pacientët”.
Në skenarin më të frikshëm, një rritje e shumëfishtë e pacientëve do të tejkalojë në masë kapacitetet e shëndetit publik. Ekspertja këshillon që përvoja e Italisë të shërbejë si paralajmërim i rrezikut që i kanoset çdo vendi në rrethana të caktuara: Ky kërcënim i kanoset çdo vendi, sado të pasur e stabilizuar nëse bashkohen disa faktorë:
“Një përqindje shumë e lartë e rasteve në Itali janë individë me rrezikshmëri të lartë për t’u sëmurur, apo në rrezik vdekjeje. Këta janë individët e moshuar. Në vende të tjera si Koreja e Jugut dhe Singapori që ishin më të suksesshëm në reagim, ndoshta kjo ndodhi pasi patën fatin e mirë se sëmundja ishte e kufizuar tek popullata në moshë më të re”.
Ekspertja përshëndet masat që po marrin autoritetet kudo në botë për të kufizuar transmetimin e virusit në komunitet. Por ajo paralajmëron se askush nuk duhet të ushqejë iluzione që dy javë distancim social do të zhdukë sëmundjen apo virusin:
“Po përpiqemi të kufizojmë numrin e personave të sëmurë përnjëherësh në një moment të caktuar. Kjo në realitet e zgjat në kohë epideminë. Është e rëndësishme që njerëzit të kuptojnë se mund të mos arrijmë ta reduktojmë në total numrin e personave që do të sëmuren nga kjo epidemi”.
Kina ka arritur sukses me masat e forta të izolimit. Të mërkurën autoritetet në Ëuhan deklaruan se për herë të parë që nga shfaqja e sëmundjes, nuk ka pasur raste të reja infektimi brenda vendit. Dr. Nuzzo thotë se popullata mbetet e rrezikuar nga virusi tani që po hiqen masat dhe njerëzit po kthehen në punë.
“Shpresojmë që të rikthehen në normalitet, sidomos pasi një pjesë e madhe e botës po has probleme nga që Kina ka reduktuar ose ndaluar prodhimin. Kina është prodhuese e rëndësishme e produkteve mjekësore, prandaj e mirëpresim rikthimin e aktivitetit prodhues, por me këtë kthim lind pyetja, a do fillojnë të rriten numrat e të infektuarve përsëri në Kinë?”
E vetmja shpresë për ta ndaluar plotësisht sëmundjen mbetet vaksina kundër koronavirusit, por ky proces kërkon vite:
“Nëse çdo proces shkencor ecën si duhet dhe të gjitha provat klinike dalin me sukses, do të arrinim të identifikonim një vaksinë për 12-18 muaj. Më pas duhet ta prodhojmë në masë në objekte të specializuara në një numër që ndoshta është i paarritshëm brenda një afati kohor. Pra vaksina është ende larg, ndoshta disa vite larg”.
Deri në atë moment, Dr. Jennifer Nuzzo thotë se komuniteti shkencor po punon për terapi kuruese që ndihmojnë për të shëruar më shpejt sëmundjen COVID-19 duke ulur presionin mbi sistemet spitalore.
Ditët e fundit një studim i Institutit Kombëtar të Shëndetit arriti në përfundimin se koronavirusi mbetet ngjitës në ajër për orë të tëra, duke krijuar shqetësim në popullatë. Dr. Nuzzo thotë se nuk ka arsye për shqetësim dhe se rezultatet u keqkuptuan:
“Studiuesit e Institutit Kombëtar të Shëndetit bënë prova duke përhapur virusin me ajër me presion, përmes një spërkatëse me spraj, që e shpërndan me presion virusin në pikëza shumë të vogla lëngu, të cilat qëndrojnë në ajër për një kohë më të gjatë. Studimi u bë në kushte eksperimentale”.
“Masa e mukozës që përhapet nga individi përmes kollës apo teshtimës është relativisht e madhe si dhe e rëndë, prandaj bie në tokë dhe nuk qëndron në ajër”.
Ajo inkurajon individët në zona ku nuk ka ndalim të plotë qarkullimi të dalin në natyrë, të bëjnë ushtrime fizike dhe të gjejnë forma argëtimi për ta bërë sa më të përballueshëm vetë-izolimin.
Është ende herët të llogariten ritmet e vdekshmërisë nga COVID-19, por ka vend për shqetësim, thotë epidemiologia:
“Për pjesën më të madhe të botës kjo sëmundje do të jetë më vdekjeprurëse se gripi”.
Ajo shprehet e prekur nga mobilizimi që ka parë nga individë të thjeshtë që kanë ardhur në spitale për të dhuruar mjete të ndryshme që mendojnë se do të ndihmojnë personelin.
Ajo i bën thirrje popullatës të vazhdojë të mbështesë personelin shëndetësor dhe të ndjekë rekomandimet e tyre. Kjo është një situatë unike, një krizë që dëshmoi shumë të meta në sistemet e kujdesit shëndetësor.
Pas përfundimit të krizës, njerëzimi do të nxjerrë mësime të vyera nga kjo krizë dhe të marrë masat për të qenë më i mirë-përgatitur për epidemi të ngjashme në të ardhmen. Dr. Nuzzo thotë se komuniteti mjekësor kishte ngritur shpesh alarmin për kapacitete të pamjaftueshme spitalore në rast krize, por epidemia zbuloi edhe mangësi të tjera.
“Situata aktuale në SHBA ku nuk jemi në gjendje të operojmë në shkallë më të madhe për analizat laboratorike, ishte e paparashikueshme. Dukej në të kaluarën se këtë mund ta realizonim në epidemitë e mëparshme, prandaj nuk e kisha paramenduar se do të ishte kaq problematike sa ç’ka rezultuar në këtë situatë”.
Ajo shton se distancimi social dhe vetë-izolimi janë masa të efektshme për të mbrojtur veten dhe komunitetin, ndërkohë që shkenca shpejton për të gjetur një zgjidhje.