Dy muaj në grevë/ Punëtorët teknik të Kuvendit kërkojnë pagë 500 €, në të kundërtën,…

17:08 | 06 November 2024
dy-muaj-ne-greve/-punetoret-teknik-te-kuvendit-kerkojne-page-500-e,-ne-te-kunderten,…

Që nga gjysma e shtatorit të këtij viti, punëtorët teknik të Kuvendit të Kosovës, të cilët kujdesen për mirëmbajtjen dhe pastrimin e sallave dhe hapësirave të tjera të institucionit, kanë rinisur grevën duke kërkuar rritje pagash.

Kërkesë e punëtorëve  teknikë është  rritja e pagës në rreth 500 euro, përderisa aktualisht pagat e tyre janë vetëm 275 euro, më pak se paga minimale në vend.

Sot Kolektivi Feminist dhe organizata Përpjekja kanë mbajtur protestë solidarizuese me grevën e punëtoreve teknike të Kuvendit të Kosovës.

Ato kanë mbajtur pankarta në duar me mbishkrimin “Punëtoret nuk janë mall”, “Pagë të njëjtë për punë të njëjtë”, “Schafberger shtyp punëtoret, Kuvendi e lejon”.

Në këtë protestë ka marrë pjesë edhe Jusuf Azemi,kryetar i Sindikatës të sektorit privat, i cili u prononcua për FrontOnline lidhur me protestën.

Jusuf Azemi: Ne nuk dalim nga greva pa u përmbushur kërkesat tona

Jusuf Azemi, kryetar i sektorit privat, mori pjesë në protestën e sotme solidarizuese me punëtorët teknikë të Kuvendit të Kosovës. Ai shprehu shqetësimin për mungesën e reagimit nga ana e Qeverisë dhe theksoi se punëtorët do të qëndrojnë në grevë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.

‘’ Sot mbajtëm protestë dhe nuk pati kurrfarë reagimi nga Qeveria fatkeqësisht, ne nuk dalim nga greva pa u përmbushur kërkesat tona’’, tha Azemi për FrontOnline.

Azemi theksoi se këto kërkesa janë të pritura për një kohë të gjatë dhe se greva ka filluar që më herët. Ai theksoi se Qeveria është e vetëdijshme për situatën, por nuk ka treguar interes për problemet e punëtorëve.

‘’ I kemi kërkuar qe një kohë të gjatë këto kërkesa e dimë që kjo grevë ka filluar qe një kohë.

Si do të veprojë qeveria ata e dinë më mirë, mirëpo ata nuk kanë treguar kurrfarë interesi qe dy muaj’’, tha Azemi.

Zemaj i LDK-së: Greva e punëtoreve teknike të Kuvendit- shembull që tregon si trajtohen problemet nga një qeveri që proklamohej e majtë

Në lidhje me grevën e punëtorëve deputeti i LDK-së, Armend Zema, ka kritikuar qeverinë dhe Kuvendin, duke e cilësuar grevën si një shembull të trajtimit të klasës punëtore nga një qeveri që vetë proklamohet e majtë, por që po injoron kërkesat e punëtorëve.

‘’ Greva e punëtoreve teknike të Kuvendit është edhe një shembull që tregon si trajtohen problemet e klasës punëtore, nga një qeveri që proklamohej e majtë, përveç që s’po reagojnë për tu bërë zgjidhje, po injorohen, me arrogancë të plotë’’, tha Zemaj për FrontOnline.

Sipas Zemajt, as Qeveria dhe as Kuvendi, të udhëhequr nga Vetëvendosje, nuk kanë treguar asnjë vullnet për të adresuar kërkesat e punëtorëve, duke i lënë ata të injoruar dhe pa zgjidhje.

‘’ As Qeveria as Kuvendi i udhëhequr nga VV nuk e kanë marre as mundin më të vogël për ta adresuar çështjen e tyre’’, tha Zemaj.

Zema shtoi se është e dhimbshme të shohësh gratë punëtore që mbajnë familjet e tyre, ndërsa pushtetarët nuk po bëjnë asnjë përpjekje për t’u ofruar ndihmë dhe për të gjetur një zgjidhje për ta.

‘’ E dhimbshme t’i shohim ato gra punëtore që mbajnë familjet e tyre me mund sesi askush nga pushtetarët as nuk përpiqet të bëjë as edhe zgjidhjen më të vogël’’, përfundoi Zemaj.

Anëtari i Komisionit Parlamentar për Mirëqenie Sociale: Qeveria e ka krijuar vetë këtë problem

Anëtari i Komisionit Parlamentar për Mirëqenie Sociale, Shemsedin Dreshaj kritikoi Qeverinë për krijimin e një problemi të tillë, duke theksuar se Qeveria e ka krijuar vetë këtë problem me ligjin për administratë publike

‘’ Qeveria e ka krijuar vetë këtë problem me Ligjin për administratë publike’’, tha Dreshaj për FrontOnline.

Sipas Dreshajt, Qeveria është “para aktit të kryer” sepse sipas Dreshajt kjo kategori është sipas tij e anashkaluar

‘’ Qeveria e ka krijuar vetë këtë problem me ligjin për administratë publike kështu që këta janë para aktit të kryer ,këtë janë dy kategori që janë krejt t anashkaluar’’, tha Dreshaj.

Ai e konsideroi këtë situatë si pasojë të mungesës së vullnetit politik për të trajtuar kategoritë sociale dhe theksoi se kjo mungesë ka sjellë situatën e tanishme ku përballemi me migrim me pa kënaqësi e me ligje të kontestuara .

‘’ Mendoj që mungesa e vullnetit politik që të merren me kategoritë sociale e ka sjellë situatën këtu ku jemi sot me migrim me pa kënaqësi e me ligje të kontestuara’’, përfundoi Dreshaj për FrontOnline.

 

 

 

Komento: