Dy muaj nga fillimi i tensioneve në veri të Kosovës

20:21 | 27 Korrik 2023
dy-muaj-nga-fillimi-i-tensioneve-ne-veri-te-kosoves

Kryetarët e komunave veriore të Kosovës kishin vendosur të dalin në punë dy muaj më parë.

Ditët në vazhdim, tensione gradualisht mbërritën kulminacionin dhe vendi u përball me një situatë prej më të rëndave të viteve të fundit, tek e cilat mbërriti si rezultat i disa nismave të qeverisë, e rezistencës së fortë kundër tyre nga grupe kriminale në veri, të mbështetura nga Beogradi.

Pjesëtarë të policisë së Kosovës, ushtarë të KFOR-it e gazetarë e pësuan më së rëndi në këtë situatë, nga fundi i majit e në ditët në vazhdim.

Pavarësisht që situata aktualisht është më e qetë para objekteve të komunave po dalin akoma protestuesit ani pse në numër më të vogël.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Valdet Hoxha, situatën që rezultoi pas kësaj periudhe, po e sheh në dy kënde.

“Me intervenimin e policisë në atë pjesë të vendit natyrshëm që është krijuar një perceptim më i mirë në kuptimin e sundimit të ligjit dhe mund të themi lirisht që disa banda kriminale nuk janë më të paprekshme dhe kjo është pozitive në aspektin e sigurisë por nëse e barazojmë me anën politike dhe diplomatike e shohim që kjo ka pasur disa pasoja të rënda dhe këtu e kam fjalën për sanksionet apo masat siç i quajti BE-ja”, ka deklaruar ai.

Profesori universitar Milazim Krasniqi, pasojat politike i konsideron të rënda për Kosovën.

“Rezultati i deritashëm  është katastrofal për Kosovën sepse kurrë nuk ka ndodhë që Kosova të jetë nën sanksione të Bashkimit Evropian dhe e qortuar rëndë nga SHBA-të pra nuk ia ka vlejtur ky aksion veçmas ai për targat që edhe ishte fillimi i krejt kësaj katastrofe”, ka thënë profesori Krasniqi, raporton rtvdukagjini.

Pos protestuesve që po vazhdojnë të kundërshtojnë kryetarët e komunave, që dy muaj brenda komunës është edhe kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi nga Lëvizja Vetëvendosje.

Siguri për të po ofrojnë trupat e KFOR ndërsa sipas partisë së tij ai po e kryen detyrën duke mos dal asnjëherë nga objekti.

Si rezultat i tensioneve, NATO, rriti numrin e ushtarëve në kuadër të misionit të KFOR-it, dhe kanë qenë më prezent në pjesën veriore të vendit, bashkë me pjesëtarë të EULEX-it.

Kosova, së fundmi është pajtuar që të reduktojë praninë e pjesëtarëve të njësive speciale të Policisë së Kosovës nga objektet komunale për 25 %, si një hap drejt shtensionimit.

Komento: