
Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka vazhduar edhe për dy muaj paraburgimin të dyshuarit për vrasjen e shtetases argjentinase në Kosovë. Këtë e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore, Mirlinda Gashi.
“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë për vazhdimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.N, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për vazhdimin e masës së paraburgimit, ashtu që masa e paraburgimit të pandehurit E.N, i është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy)muaj”, ka thënë zëdhënësja për express.
Shtetasja argjentianse, Maria Clara Udangaray, ka vdekur në Fushë Kosovë më 2 gusht. Autoritetet kishin arritur ta arrestonin E.N me shtetësi zvicerane si të dyshuar për rastin.
Ndërkohë që kufoma e argjentinases ende gjendet në Kosovë dhe s’është dërguar ende tek familja në Argjentinë. Familja e Udangaray ka bërë edhe një apel publik për t’iu ndihmuar me grumbullim të fondeve për ta bërë të mundur transportin e kufomës nga Kosova në Argjentinë.
Se kufoma gjendet ende në Kosovë, e ka konfirmuar për Gazetën Express Bergita Curri nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.. Informacione të reja lidhur me rastin thotë se s’kanë.
“Trupi i të ndjerës M.C.U, shtetase e Argjentinës, ende është në morgun e IML-së dhe nuk kemi informacione të reja lidhur me rastin”, ka deklaruar Curri.