Në aksin rrugor Shkodër-Lezhë ka ndodhur një aksident i rëndë trafiku.
Bëhet me dije se dy personat që humbën jetën janë murgesha nga Kosova, të identifikuara si shtetaset Diana Mjeshtri 45 vjeçe dhe Luljeta Zefi 39-vjeçe, ndërsa 5 persona të tjerë mbetën të lënduar rëndë.
Nga hetimet paraprake, sipas burimeve policore rezulton se mjeti tip “Fouristradë” ku udhëtonin 4 persona që kanë mbetur të lënduar, ka goditur në pjesën e pasme mjetin tip “AUDI” me targë 778 RA ku udhëtonin tre murgesha.
Si pasojë e përplasjes dy murgesha humbën jetën, ndërsa murgesha, Beta Mata 32 vjeçe ka mbetur e plagosur rëndë. Fouristrada ka tentuar që të frenojë por si shkak i shpejtësisë ka qenë e pamundur për të ndaluar apo për të manovuar.
Fouristrada ka përfunduar në kanal ndërsa fare pranë saj edhe mjeti tjetër i aksidentuar. 5 të plagosurit ndodhen nën kujdesin e mjekëve në spitalin e Shkodrës, transmeton Mapo.
Reagimi i Spitalit të Shkodrës: Të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën
Duke shprehur ngushëllimet për 2 viktimat në aksidentin rrugor të ndodhur në Kryebushat, Spitali Rajonal Shkodër bën me dije si më poshtë:
Menjëherë pasi jemi njoftuar për aksidentin e ndodhur në Bushat rreth orës 15:00, dy ambulanca të spitalit Shkodër janë nisur menjëherë drejt vendngjarjes së bashku me dy mjekë dhe infermierë.
Dy persona kanë humbur jetën në vendngjarje, ndërsa 5 të plagosur u transportuan në spitalin e Shkodrës, ku morën trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Aktualisht janë jashtë rrezikut për jetën. Një prej të plagosurve ka dalë nga spitali dhe 4 të plagosur ndodhen në kujdesin e mjekëve.