Dy simbolikat e numrit 112 të PDK-së, i cili u tërhoq nga djali i Heroit të Kosovës që sot kishte përvjetorin e 21-të

19:16 | 17 September 2019

Partisë Demokratike të Kosovës, në shortin e tërhequr sot në KQZ i ka rënë numri 112, që për dallim nga partitë tjera ka më shumë simbolikë.

Ky numër është unik emergjent dhe falas në Kosovë që nga viti 2002, i cili është në shërbim të qytetarëve 24 orë dhe thirret gjithmonë sa herë që ata kanë nevojë për ndërhyrje emergjente, si ndërhyrje të policisë apo edhe të zjarrfikësve.

Megjithatë, kjo nuk është simbolika e vetme e tij, sepse ekziston edhe një simbolikë tjetër e vetë aktivistit të PDK-së, Çlirim Haziri, që sot e ka tërhequr këtë short zgjedhor.

Ai është djali i Heroit të Kosovës, Xhavit Haziri, i cili është një prej veprimtarëve më të hershëm të Lëvizjes Kombëtare dhe pikërisht sot kishte 21 vjetorin e zhdukjes.

Këtë e ka bërë të ditur vetë PDK-ja përmes një postimi në faqen e saj.

“Të nderuar anëtarë dhe simpatizantë të PDK-së,

Numri 112 është numri i Partisë Demokratike të Kosovës në këto zgjedhje.

Ky është numri i mbështetjes për çdo qytetar. Është numri i shpresës sa herë që ata kanë nevojë për ndihmë.

Në këto zgjedhje, ky është numri i një të ardhmeje më të mirë për Kosovën dhe të rinjtë tanë.

Këtë numër të fitores sot e ka tërhequr aktivisti i zellshëm i Partisë Demokratike të Kosovës, Çlirim Haziri, i cili është djali i Heroit të Kosovës, Xhavit Haziri, që sot e ka pasur përvjetorin e 21-të të zhdukjes së tij.

Xhavit Haziri ishte njëri prej veprimtarëve më të hershëm të Lëvizjes Kombëtare, aty ku i ka rrënjët edhe Partia Demokratike e Kosovës, si parti e lirisë, shtetformimit dhe shtetndërtimit”, thuhet në postimin e PDK-së.

Komento: