Dy skuadra të mëdha pas Albion Rrahmanit, ylli kosovar pritet të bëhet transferimi më i shtrenjtë në histori të Rapidit

10:12 | 06 June 2024

Albion Rrahmani po i kalon ditët e fundit të tij te skuadra rumune Rapid Bukuresht, pasi do të bëjë një tjetër hap të rëndësishëm në karrierën e tij.

Vetëm një vit i ka mjaftuar në Rumani për të shpërthyer sulmuesit dardan me fanellën e Rapidit me gola e asistime.

23-vjeçari ka zhvilluar 26 ndeshje zyrtare, teksa ka shënuar 17 gola dhe ka asistuar në pesë të tjerë me fanellën e Rapidit.

Slavia e Pragës është skuadra më e interesuar për shërbimet e Rrahmanit, madje mediumi rumun Digi Sport ka raportuar se skuadra çeke ka ofruar tre milionë euro për të.

Megjithatë e ardhmja e Rrahmanit pritet të jetë në Skoci, ku gjiganti skocez Glasgow Rangers tani po shihet si favorit dhe që mund të ofrojë më shumë për transferimin e Rrahmanit.

Rapidi po pret që nga shitja e yllit llapjan të fitoj tetë milionë euro, por Digi Sport ka raportuar se shitja e sulmuesit kosovar mund të ndodhë për gjashtë milionë.

Glasgow Rangers është e gatshme të paguajë gjashtë milionë euro, shumë që do të mjaftonte për ta bërë kosovarin transferimin më të shtrenjtë në histori të Rapidit./Telegrafi/

Komento: