MPJ-ja po monitoron gjendjen e dy të mbijetuarve të aksidentit në Hungari
Ministria e Punëve të Jashtme për portalin Koha.net ka bërë të ditur se është duke monitoruar gjendjen shëndetësore të dy të mbijetuarve të aksidentit që ndodhi në Hungari në të cilën mbeti i vdekur shtetasi i Kosovës, B.M.
Fatmir Haxholli, këshilltar politik i ministrit Behgjet Pacolli, ka thënë për Koha.net se autoritetet hungareze kanë informuar misionin diplomatik e konsullor të Kosovës në Budapest lidhur me aksidentin i cili u transmetua “live” në Facebookun e tashmë të ndjerit B.M.
“Me automatizëm, personeli ynë diplomatik e konsullor është përfshirë në komunikim dhe bashkëveprim të vazhdueshëm me autoritetet hungareze, si dhe ka komunikuar gjatë gjithë ditës me familjarët e të aksidentuarve. Shërbimi ynë konsullor në Budapest informon që autoritetet hungareze pritet të dalin me raport përfundimtar, në lidhje me rrethana e aksidentit”, ka thënë Haxholli.
“Në ndërkohë konform përgjegjësive konsullore, personeli diplomatik i Kosovës në Budapest, do të komunikojë me qendrën spitalore në lidhje me gjendjen dhe kujdesin në kuadër të trajtimit intensiv të dy qytetarëve të lënduar. Ministri Pacolli, si dhe personeli i Ministrisë së Punëve të Jashtme, i shprehin ngushëllimet familjes, e cila humbi familjarin e saj në këtë aksident, përderisa lutemi për shëndetin e dy të lënduarve dhe shërimin e tyre sa më të shpejtë”, ka thënë ai.