Dy temat që ndikuan në ngritjen e tensioneve mes Haradinajt dhe Mogherinit

16:45 | 17 December 2018

Takimi i mbajtur sot në Bruksel për MSA-në mes zyrtarëve kosovarë dhe atyre të BE-së nuk ka kaluar pa tensione.

Në takimin, në Bruksel, mes kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe shefes së Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini ka pasur përpalsje të ashpër.

Kjo ishte edhe arsyeja e anulimit të konferencës për media të kryeministrit Ramush Haradinaj me zyrtarët e lartë të BE-së, shefen e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini dhe Komisionerin Evropian për Zgjerim, Johannes Hahn.

Këtë e ka konfirmuar për Klan Kosovën edhe këshilltari i Ramush Haradinajt, Avni Arifi, i cili po qëndron në Bruksel bashkë me delegacionin kosovar.

Ai ka shtuar se kryeministri Haradinaj nuk ka lëshuar pe për heqjen e taksës 100 % ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Sipas tij, Haradinaj ka shfaqur edhe pakënaqësitë për mosliberalizimin e vizave për kosovarët dhe moszbatimin e marrëveshjeve të Brukselit, nga ana e Serbisë.

Konferenca, sipas orarit të Komisionit Evropian, ishte e paraparë të mbahej në orën 15:00. Pastaj, e njëjta ishte shtyrë për në orën 15:30, për t’u anuluar më pas.

Një vit më parë në mënyrë të ngjashme ishte anuluar edhe një konferencë tjetër midis kryeministrit Ramush Haradinaj dhe përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherinit.

Komento: