Dy vjet burgim për dilerin e drogës në Gjakovë

11:56 | 29 Tetor 2025
Dy vjet burgim për dilerin e drogës në Gjakovë

Gjykata Themelore në Gjakovë, ka publikuar vendimin dënues ndaj S.K, i cili u shpall fajtor për vepren “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Ai u dënua me dy vjet burgim dhe 1 mijë euro gjobë, thuhet në një njoftim të kësaj gjykate.

“Në aktakuzë thuhet se i pandehuri, më datën 14 korrik 2025, në Gjakovë, pa autorizim, ka shitur substanca apo preparate të cilat me ligj janë shpallur si narkotikë, substanca psikotrope ose analoge, në atë mënyrë që hetuesit e DHTN-së kanë vërejtur të pandehurin, tek i cili në një moment është afruar blerësi E.V., dhe në momentin kritik i pandehuri i ka dorëzuar këtij të fundit një qese me substancë narkotike në këmbim të shumës prej pesë (5) eurosh. Më pas, tek i pandehuri janë gjetur dhe sekuestruar katër (4) qese të mbushura me substancë narkotike, si dhe një (1) kartëmonedhë në vlerë prej 5 euro. Nga ana e hetuesve, në mënyrë urgjente është kryer kontrolli dhe bastisja në banesën e të pandehurit, me ç’rast janë gjetur dhe sekuestruar gjithsej nëntëmbëdhjetë (19) qese me substancë narkotike të llojit marihuanë, tetë (8) qese me substancë narkotike të llojit kokainë, si dhe një (1) fishek i kalibrit 9×19 mm”.

“Pas ekzaminimit nga Agjencia e Kriminalistikës dhe Forenzikës (AKF), është konstatuar se bëhet fjalë për substanca narkotike të llojit marihuanë me peshë 14.09 gramë dhe kokainë me peshë 2.86 gramë”, theksohet më tej në njoftim.

Komento: