Dy lojtarët e Napolit e mposhtin koronavirusin.
Humbja në Europa League përballë AZ Alkmaar, ka prishur disi qetësinë e Gennaro Gattusos, por gjithsesi trajneri i Napolit ka marrë lajme të mira mbrëmjen e djeshme, në prag të transfertës ndaj Beneventos.
Kjo pasi dy mesfushorët Eljif Elmas dhe Piotr Zielinski ia kanë dalë më në fund të mposhtin koronavirusin dhe nga dita e hënë mund t’i bashkohen grupit të futbollistëve të tjerë, për t’u stërvitur rregullisht nën urdhrat e Gattusos.
Tekniku napolitan nuk mund t’i ketë ata në dispozicion për transfertën e sotme ndaj Beneventos, pasi nuk është plotësuar dokumentacioni i nevojshëm mjekësor, por mund t’i përdorë duke nisur nga e enjtja në Europa League.
Dy futbollistët kanë rezultuar pozitivë në javën para ndeshjes me Juventusin dhe kanë qëndruar në izolim për më tepër se 20 ditë, megjithatë tani Gattuso mund të bazohet te një organikë e plotë për të përballuar angazhimet e ardhshme.