Dybala ka treguar se a do të largohet nga skuadra e Juventusit.
Një vit më parë dukej sikur nuk e donte askush te Juventusi dhe u përfol gjatë si një nga emrat që mund të linin Torinon, por Dybala qëndroi dhe gjatë këtij sezoni ka bindur më shumë se kurrë, që e meriton fanellën bardhezi mbi shpinë.
Në një intervistë të dhënë për mediat italiane, sulmuesi argjentinas zbulon se vitin e kaluar ishte gati të largohej dhe se kishte pasur oferta nga klube të ndryshme italiane e europiane, por pranoi se Sarri kishte luajtur një rol të rëndësishëm në rigjetjen e formës.
“Verën e kaluar te Juventus nuk donin të besonin më te unë, sepse vija pas një sezoni të vështirë dhe më kishin bërë të qartë se donin të më shisnin. Ofertat nuk munguan, nga klube të shumta si PSG, Manchester United dhe Tottenham, por unë ua bëra të qartë të gjithëve që dëshira ime ishte të qëndroja në Torino. Më pas u mbyll merkatoja dhe me Sarrin punova shumë që të rigjej formën më të mirë”, deklaroi argjentinasi.
Deri në momentin e ndërprerjes së futbollit për shkak të pandemisë, Dybala ishte aktivizuar në 36 ndeshje dhe kishte arritur të shënonte 13 gola, ndërsa tani te Juventusi e shohin si një lojtar mjaft të rëndësishëm dhe janë gati t’i rinovojnë kontratën.
“Kam edhe një vit e gjysmë kontratë me Juventusin, por deri tani nuk më ka ardhur asnjë ofertë për rinovimin e bashkëpunimit. Unë ndihem mjaft mirë këtu dhe rrethohem nja njerëz që i dua e më duan, ndaj do të isha i lumtur të qëndroja. Ndoshta gjithçka ka mbetur pezull për shkak të pandemisë, por jam i sigurt që do të vijë edhe oferta për rinovimin e kontratës”, u shpreh Dybala.