Policia e Kosovës dhe EULEX janë pozicionuar në veri, ku po vëzhgojnë situatën pas raportimeve për disa shpërthime në atë pjesë të vendit.
T7 raporton se ekipet e policisë janë duke u marrë me një bombë dore që është brenda zyrës së Komisionit Komunal Zgjedhor.
Si rrjedhojë, objekti i KKZ-së në Mitrovicë të Veriut është rrethuar me shirita.
Sot në veri të Kosovës janë dëgjuar disa shpërthime, çka ka tensionuar situatën atje.
Kujtojmë se serbët në veri nuk kanë lejuar sot që zyrtarët komunal të zgjedhjeve të kryejnë detyrën e tyre lidhur me zgjedhjet lokale që do të mbahen me 18 dhjetor.
Lidhur me situatën në Veri, sot Policia e Kosovës e ka lëshuar një komunikatë.
“Në orët e para të pasdites së sotme, në disa zona të Zubin Potok-ut dhe Mitrovicës Veri janë regjistruar disa incidente (dyshohet shkrepje armësh e shpërthime), por deri në këto momente nuk janë raportuar lëndime nga këto incidente, përderisa raportohet se protestuesit kanë demoluar zyrat e komisionit komunal zgjedhor”, thuhej në komunikatë.