
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur pas sondazheve të fundit, të UBO Consulting, sipas të cilës, AAK-ja në zgjedhjet e ardhshme do të mund t’i marrë vetëm shtatë ulëse në Kuvend. Pra më pak se në zgjedhjet e fundit.
Haradinaj, në një intervistë për Telegrafin, i ka quajtur fabrikime për favorizime të caktuara, duke shtuar se megjithatë nuk do të kenë mundësi t’i mashtrojnë qytetarët përmes këtyre sondazheve.
“Sondazhet po kushtojnë, më i zakonshmi 25 mijë euro, kush po i porosit sondazhet po i ka mënyrat me llojet e pyetjeve, me renditjen e pyetjeve, mostrat, marzhën e gabimit, kuptohet me favorizu veten. Ne si Aleancë nuk kemi shku me këto fabrikime. Por këto i ka ba para zgjedhjeve, Armend Muja, tash deputet i Vetëvendosjes dhe Ermal Panduri. Ata që janë mundu me e bind Kosovën se kështu po shkon votuesi dhe kanë pas sukses njëherë, por nuk besoj që do të munden prap dikush me i mashtru qytetarët e Kosovës, me e rrejt Kosovën”, tha Haradinaj.
Sipas kreut të AAK-së, kjo është tendencë për t’ju dhënë drejtim votuesve, pasi thotë se viti 2024 mund edhe të quhet si vit zgjedhor.
“Jemi në vitin zgjedhor, me Kushtetutë të Kosovës dhe ligje, më së largu në janar 2025 duhet me u mbajtë zgjedhjet parlamentare që i bie, vitin që vjen jemi në zgjedhje parlamentare, të cilat munden me u mbajtë edhe në pjesën e parë, viti i fundit i mandatit të Kurtit. Nëse janë të befasishme, edhe më shpejtë. Po shihet që ka tendenca me ju dhënë drejtim votuesve”, u shpreh Haradinaj.
Ish-kryeministri, i bëri thirrje prokurorisë për hetim ndaj atyre që bëjnë këso lloj sondazhe, pasi thotë se nuk dihet prejardhja e financimit, dhe se munden me qenë para të krimit e korrupsionit.
Madje Haradinaj tha se ka pasur dyshime që Vetëvendosje, në zgjedhjet e kaluara ka marrë burime të parave të armiqve të Kosovës.