
Rrjeti i OJQ-ve AVONET ka monitoruar dy tenderë të dyshimtë, njëri në spitalin e Pejës dhe tjetri në të Gjilanit.
Sipas njoftimit për media, AVONET thotë se gjatë këtij monitorimi, në dosjet e ofertimit të një operatori ekonomik janë vërejtur dokumente që ngjallin dyshime të arsyeshme për keqpërdorim dhe falsifikim.
Thuhet se bëhet fjalë për një CV, një kontratë pune dhe një certifikatë diplome, të cilat figurojnë në të dy tenderët pa dijeninë e të dëmtuarit në këto dokumente.
“Personi në fjalë, dizajner i diplomuar, pas kërkesës së AVONET-it për konfirmim, ka deklaruar se nuk ka qenë kurrë në marrëdhënie pune me këtë operator ekonomik dhe se nënshkrimi i tij është përdorur pa autorizim. Kjo përbën një indikacion serioz se A.R.F. SHPK ka përdorur dokumente të falsifikuara në proceset e prokurimit publik, duke cenuar integritetin e procedurave dhe konkurrencën e drejtë”, thotë AVONET.
Duke u bazuar në gjetjet dhe “në dyshimin e arsyeshëm për kryerje veprash penale”, AVONET ka paraqitur kërkesë zyrtare për fillimin e hetimeve pranë Prokurorisë së Shtetit.
Dyshimet e ngritura, sipas kësaj OJQ-je, lidhen me “Deklarim i rremë nën betim”, “Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik”, “Keqpërdorim i besimit” si dhe “Falsifikim i dokumenteve”, të parashikuara në Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Po ashtu, AVONET ka kërkuar nga të dy Spitalet që të ndërmarrin veprimet e domosdoshme ligjore për inicimin e procedurave të diskualifikimit pranë Organit Shqyrtues të Prokurimit.