Pacolli ngre dyshime: A është e vërtetë që në veri nuk ka forca të Serbisë siç premtoi Presidentja?
Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, përmes një postimi në Facebook ka ngritur dyshime se a është e vërtetë që në veri nuk ka forca të Serbisë?
Ai gjithashtu ka pyetur se a ka lëvizje të lirë në veri të Kosovës apo rrugët janë ende të bllokuara.
“A është vërtetë që në Veri nuk ka forca të Serbisë ashtu siç premtoi Presidentja apo atje ka forca të Serbisë dhe cilat janë ato? Kohët e fundit kemi parë pamje të Kryeministrit e Ministrit të Brendshëm nga Veriu i Kosovës”, tha ai.
Tutje, Pacolli ka thënë se duhet që qeveria të tregojë transparencë për situatën në veri.
“Në këtë kontekst nevojitet sqarim: A ka lëvizje të lirë në Veri të Kosovës apo rrugët janë ende të bllokuara. Po dëgjohen zëra se nepër pikat të Policisë së Kosovës kemi Policë tonë të bllokuar. Shtrohet pyetja, a munden këta Policë më i zbatu detyrimet e tyre, a ka ndërrime dhe a ka furnizim për këto pika të kontrollit. Besoj se është e rrugës që Qeveria të tregon transparencë për situatën reale në Veri të vendit”, ka shkruar tutje Pacolli.