Dyshimet për keqpërdorime me shpronësime, ministri Murati sërish me akuza ndaj ish Qeverisë Haradinaj

14:20 | 03 September 2021

Ministri i Financave, Transfereve dhe Punës, Hekuran Murati sërish ka hedhur akuza për ish-Qeverinë Haradinaj, duke thënë se më 17 dhjetor 2019 kishte marrë vendim që tokën që AKP e kishte privatizuar për 6 euro ta shpronësojë për 7,500 euro/ari.

Murati në një postim në Facebook shkruan se sipërfaqja e tërësishme e tokës, e cila për t’u privatizuar kishte kushtuar 4,000 euro, tani do të shpronësohej për 4,866,000, e që sipas tij, nga 43 milionëshi i tërësishëm, një person i vetëm do të merrte 4.9 milionë euro, nëse keqpërdorimi do të shkonte deri në fund.

Lexoni të plotë postimin e ministrit Murati:

Toka që AKM/AKP e kishte privatizuar për 6 euro/arin, në tabelat e vlerësimit të dorëzuara me 17 maj në MMPH, ishte vlerësuar me 3,700 euro/ari, pra rreth 600-fishi i çmimit të blerjes.

Por sikur të mos mjaftonte kjo, Qeveria Haradinaj kishte marrë vendim me 17 dhjetor 2019, që të njëjtën tokë ta shpronësojë për 7,500 euro/ari, pra 1,200-fishi (me fjalë: njëmijë e dyqind fishi i çmimit të privatizimit).

Sipërfaqja e tërësishme e tokës, e cila për t’u privatizuar kishte kushtuar 4,000 (katër mijë) euro, tani do të shpronësohej për 4,866,000 (katër milionë e tetëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë mijë) euro.

Pra nga 43 milionëshi i tërësishëm, një person i vetëm do të merrte 4.9 milionë euro, nëse keqpërdorimi do të shkonte deri në fund. Fatmirësisht, e stopuam me kohë.

Fakte si kjo, ka edhe shumë të tjera. Krejt çka nevojitet është veprimi i prokurorisë dhe organeve të rendit.

Komento: