Milan pritet t’i largojë disa lojtarë gjatë verës.
Drejtuesit e Milanit raportohet se ia kanë bërë të qartë Lucas Biglias dhe Giacomo Bonaventura se duhet të kërkojnë klub të ri, pasi që nuk do t’ia rinovojnë kontratat e tyre, të cilat skadojnë në qershor të këtij viti.
Gazeta italiane Gazzetta dello Sport shkruan se kuqezinjtë tashmë i kanë kontaktuar përfaqësuesit e dy futbollistëve për t’ia treguar vendimin e klubit për të mos i rinovuar kontratat e dy mesfushorëve.
Futbollisti italian, Bonaventura, ka luajtur në 17 ndeshje në Serie A gjatë këtij sezoni dhe 30-vjeçari i ka bërë gjithsej 171 paraqitje për kuqezinjtë që kur u transferua në San Siro nga Atalanta në shtator të vitit 2014.
Kontrata e tij aktuale skadon në qershor të këtij viti dhe Gazzetta dello Sport shkruan se Milani tashmë e ka kontaktuar agjentin e tij, Mino Raiola, për t’i treguar se nuk do t’ia rinovojë kontratën futbollistin.
Me të njëjtin fat po përballet edhe 34-vjeçari Biglia, i cili ka luajtur në vetëm shtatë ndeshje gjatë sezonit 2019/20 dhe e ka pasur të vështirë ta bindë klubin që prej transferimit të tij nga Lazio në vitin 2017.
I njëjti medium italian raporton se edhe mesfushori defansiv është këshilluar nga drejtuesit e Milanit ta fillojë kërkimin për një klub të ri nëse dëshiron ta vazhdojë karrierën si futbollit.
Biglia i ka bërë gjithsej 63 paraqitje për kuqezinjtë që prej transferimit të tij për 19.7 milionë euro në San Siro.