Dyshja që mashtruan Kurtin vjet ishin shpërblyer me çmimin e lartë shtetëror në Rusi

17:08 | 26 March 2025
dyshja-qe-mashtruan-kurtin-vjet-ishin-shperblyer-me-cmimin-e-larte-shteteror-ne-rusi

Dy komedianët rusë, Vladimir Kuznetsov dhe Alexei Stolyarov, të njohur me pseudonimet Vovan dhe Lexus, së fundi kanë mashtruar edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në një bisedë ku paraqiten si presidenti i Letonisë.

Siç raportonin “EuroActiv” dhe “Reuters” gjatë vitit të kaluar, dyshja ishin shpërblyer me një prej çmimeve më të larta shtetërore në Kremlin, transmeton Nacionale.

Agjencia shtetërore e lajmeve ruse “RIA”, kishte publikuar një fotografi ku Vovan dhe Lexus ishin parë në një ceremoni çmimesh në Kremlin, të veshur me atë që dukej si Urdhri i Miqësisë, teksa mbanin shampanjë në duar.

Ceremonia raportohej se kishte ndodhur në korrikun e vitit 2024.

Zakonisht, ky çmim u jepet shtetasve rusë dhe të huaj për “fuqizimin e paqes, miqësisë, bashkëpunimit dhe kuptimit mes Rusisë dhe kombeve të tjera”.

Dyshja e cila njihet në Rusi, kishin mashtruar një numër politikanësh si kryeministren italiane, Giorgia Meloni, presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan dhe ish-kryeministrin britanik, Boris Johnson.

Siç dëgjohet duke thënë në një video të publikuar në një nga llogaritë e komedianëve rusë, Kurti aty flet për mediat e opozitën, duke pretneduar si zakonisht se ka pasur luftë hibride ndaj Qeverisë së tij.

“Ka pasur luftë hibride kundër qeverisë tonë që herët…kryesisht vjen nga Serbia dhe Rusia, por edhe nga disa elementë të tyre brenda Kosove. Prandaj lufta hibride dhe dezinformtat, e dyta ishte premtimet irracionale të opozitës të cilët flirtonin me luftën hibride.

Dhe e treta disa oligarkë në vend, në veçanti njëri, që ka një TV stacion” – ka thënë ai, transmeton Nacionale.

Kurti aty flet edhe për emisarin Richard Grenell, për të cilin në fund dëgjohet duke thënë se “ai është homoseksual”.

“Tërë këto katër vite kundër meje. Ai ishte instrumental në rrëzimin e qeverisë time të parë, në 2020, e vetmja qeveri e ime u rrëzua gjatë pandemisë. Dhe tash në masë të madhe është rreshtuar me opozitën.

Ai ka marrë një çmim të lartë në Beograd, të klasit të parë, nuk është në rregull të marrës çmim të atij soji në një vend autoritar dhe të pretendosh të jesh neutral.

Tash ka një punë të re, Instituti Kenedi, ku ka të bëjë me vlerat e ShBA-së…

Ai është homoseksual vetë” – thotë Kurti.

Këtu, komedianët i thonë: “A e di që edhe unë jam homoseksual?”

Komento:
loading