Kanë dalë detaje mbi zhdukjen e Bedri Rexhepit.
Besnik Berisha, avokati i të zhdukurit Bedri Rexhepi ka thënë se mund të ndajë vetëm informacionet që janë deklaruar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Avokati Berisha është shprehur se beson që janë mbledhur prova të mjaftueshme që ky rast të procedohet në Gjykatë ditëve në vijim.
“Gjatë hetimeve janë hasur mbetje mortore, të cilat dyshohen se i takojnë Bedriut”, ka thënë Besnik Berisha në RTV Dukagjini.
Ndërsa, sa i përket konfirmimit të Jeton Vllasaliut, i cili ka pranuar vrasjen e Bedri Rexhepit, Berisha ka kërkuar mirëkuptim për të gjithë të interesuarit në këtë çështje duke shtuar se veprimet hetimore janë drejt fundit.
Avokati i Bedri Rexhepit ka thënë se dyshojnë që Bedri Rexhepi është rrëmbyer dhe në mënyrë tinzare është ekzekutuar nga më shumë se një person. Berisha ka treguar se brenda 10 ditëve do të ketë një aktakuzë, e cila do të konkretizoj dyshimet e secilit.
I pyetur për motivet e vrasjes, Besnik Berisha tha se dyshon që motivet janë pasurore, në mënyrë që t’ia marrin pasurinë Bedri Rexhepit.