Fotografi Gerolld Nikoliqi është shkarkuar nga pozita e tij në kabinetin e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Këtë e ka konfirmuar për lajmi. net Shefi i Kabinetit të Konjufcës, Ilir Kërçeli.
Në një përgjigje me shkrim, Kërçeli ka bërë të ditur se vendimi për shkarkimin e Nikoliqit është nënshkruar dje.
“Po, dje e kam nënshkruar shkarkimin e zotëri Nikoliqit”, ka deklaruar shkurt Kërçeli.
Kujtojmë se fotografi Nikoliqi, sipas raportit të Policisë së Kosovës është arrestuar më 22 dhjetor nën dyshimet se kishte ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj gruas së tij.
“Me datën 22.12.2022 është arrestuar personi mashkull i lindur në vitin 1987 mbi dyshimin se kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij. Rasti ka ndodhur në rrugën “Mark Malota” në Gjakovë Me vendim të Prokurorit të Shtetit i dyshuari është ndalur në mbajtje”, ka deklaruar zëdhënësi i policisë për Rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.
Gerolld Nikoliqi ka shërbyer si fotograf më herët edhe në Lëvizjen Vetëvendosje.