E akuzuan se i “përdori” lotët e nënës për fushatë – kundërpërgjigjet ashpër Ramush Haradinaj

20:56 | 11 Dhjetor 2025
Ramush Haradinaj: Kosova nuk është duke mbajtur zgjedhje prej qejfit, këto janë zgjedhje prej zorit

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, iu përgjigj pretendimeve të Vetëvendosjes që akuzuan përdorimin e lotëve të nënës së tij për fushatë.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj u shpreh se besimi dhe angazhimi i tij nuk janë të kërcënuar, edhe në ditët më të vështira.

“Ditët e mira do të vijnë. Kurrë nuk e kam humbur besimin, e nuk jam dorëzuar as në ditët më të rënda me bashkëluftëtarët,” shkroi ai.

Haradinaj shtoi se mbështetja e familjeve, popullit dhe miqve ndërkombëtarë ka qenë një forcë motivuese gjatë rrugëtimit për krijimin e themeleve të shtetit të Kosovës. Ai kritikoi keqpërdorimin e lirisë së fjalës për qëllime politike dhe shprehu vendosmërinë për të rikthyer besimin tek zhvillimi i vendit përmes demokracisë dhe votës së popullit.

“Ne luftuam për lirinë e fjalës, që operon në kritikë, këshillë e protestë. Mirëpo e keqperdorën deri në ekstrem rrugëtimin për një pushtet i cili po i dalldisë deri në çmenduri”, deklaroi Haradinaj.

“Do të bëhemi krah njëri-tjetrit. Do t’ia kthejmë Kosovës miqtë. Do ta rikthejmë shpresën për zhvillim,” tha ai.

Bashkëshorti i Albulena Haxhiut, Alban Krasniqi, njëherësh anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ka pretenduar se Ramush Haradinaj po keqpërdor lotët e nënës së tij për fushatë zgjedhore. Krasniqi reagoi pas transmetimit të një videoje ku Rukë Haradinaj, nëna e kryetarit të AAK-së, shihet duke qajtur për djemtë e saj të rënë në luftë.

“Loti i nënës së dëshmorëve mallkon dhe vret këdo që e keqpërdorë, në çdo kohë, sidomos në kohë fushatash,” deklaroi Krasniqi.

Komento: