E arrestuara për dallaveret me patentë shofer është kryetarja e degës së AAK-së në Kaçanik

16:38 | 07 November 2024
e-arrestuara-per-dallaveret-me-patente-shofer-eshte-kryetarja-e-deges-se-aak-se-ne-kacanik

Krimet Ekonomike gjatë ditës së djeshme kanë arrestuar dy persona, pronarë të një autoshkolle, nën dyshimin për ryshfet e falsifikim dokumentesh në një autoshkollë në Kaçanik.

Një nga të arrestuarat është kryetarja e degës së AAK-së në komunën e Kaçanikut, Hafize Sallahu.

Një gjë të tillë e tha edhe deputeti i VV-së në një postim në Facebook, Mefail Bajqinovci.

Por, krahas pozitës së kryetares së degës së AAK-së në Kaçanik, Hafize Sallahu mban edhe pozitën e Drejtoreshës për Kulturë në këtë komunë.

Sipas Policisë së Kosovës , Hafize Sallahu bashkë me të arrestuarin tjetër E.S me qëllim të përfitimit pasuror, dyshohet se kanë pranuar ryshfet në shuma të ndryshme nga kandidatët, në këmbim të marrjes së patentë shoferit për kategorinë “B” dhe atë “C”, pa iu nënshtruar testeve përkatëse, si dhe pa bërë kontrollat mjekësore.

“Në koordinim me Prokurorin përgjegjës të rastit, janë kontrolluar-bastisur dy zyrat, në lokacionet e sipër cekura, ku janë siguruar dhe sekuestruar disa dëshmi- prova materiale: dy telefonë mobil; regjistratorë-Libra- gjithsej pesë (5); fletore regjistrimi; fletore interne dhe gjepi–gjithsej shtatë (7); gjashtëdhjetë e katër (64) dosje origjinale të kandidatëve; dhe njëzet e një (21) Certifikata mjekësore-të shoferëve profesional-për punë”, thuhej në komunikatën e Policisë.

Pas përfundimit të procedurave, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, Drejtoresha e AAK-së për Kulturë në Kaçanik, Hafize Sallahu bashkë me E.S janë dërguar në mbajtje për 48 orë dhe ndaj tyre është iniciuar rasti për veprat penale “Pranimi i ryshfetit në sektorin privat” dhe “Falsifikimi i Dokumenteve”./GazetaReporteri

Komento: