
Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë ka publikuar një deklaratë të të dërguarës së posaçme britanike për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce, pas publikimit të provave nga Instituti për Krimet e Luftës në Kosovë.
Pierce tha se gjetjet e publikuara përbëjnë një kontribut të rëndësishëm në vendosjen e fakteve dhe sigurimin e llogaridhënies për më shumë se 13 mijë persona që humbën jetën ose u zhdukën gjatë luftës në Kosovë, si dhe për mijëra të tjerë që u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre dhe pësuan humbje, lëndime apo trauma.
Ajo theksoi se ngjarjet tragjike në Kosovë janë ndër periudhat më të errëta të historisë së fundit të Evropës, duke shtuar se paqja e qëndrueshme kërkon që të gjitha komunitetet të përballen me të kaluarën me ndershmëri dhe të punojnë për të vërtetën, pajtimin dhe mirëkuptimin e ndërsjellë.
Në fund, e dërguara britanike ritheksoi se Mbretëria e Bashkuar mbetet e përkushtuar për të mbështetur paqen dhe sigurinë afatgjatë në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor./GAZETA10