Çifti i ri amerikan vdes në aksident disa minuta pas dasmës.
Disa minuta pas mbarimit të dasmës, një çift i sapomartuar nga Teksasi i Shteteve të Bashkuara e ka humbur jetën në një aksident me veturë pasi po largoheshin nga vendi ku e zyrtarizuan martesën.
Harley Morgan, 19 vjeç, dhe Rhiannon Boudreaux, 20 vjeçe, vdiqën në aksidentin që ndodhi në qytetin Orange, 20 milje në lindje të qytetit Beaumont të Teksasit.
Ata dolën me veturë nga parkingu dhe ishin duke hyrë në autostradën “Highway 87” kur vetura e tyre u përplas me një veturë më të madhe që ishte duke e tërhequr një traktor. Lajmin e bëri të ditur Departamenti i Policisë së këtij qyteti.
Pas tyre, me një veturë tjetër ishin nëna dhe motra e dhëndrit të ri, të cilat e panë me sytë e tyre aksidentin fatal.
“E pashë djalin tim duke vdekur. Ende e kam në trup gjakun e tij, sepse mundohesha t’i nxjerr djalin dhe nusen nga vetura e aksidentuar”, tha nëna e dhëndrit, Kennia.
“Ajo është një pamje që do të më ndjekë tërë jetën. Nuk do ta harrojë, kurrë nuk do të më largohet. Do ta shoh çdo natë në jetën time atë veturë duke e goditur djalin tim”, shtoi ajo.
Nëna e dhëndrit të mbytur në aksident tha se çifti ishin shumë të lumtur me fillimin e jetës së re së bashku, shkruan “CNN”, transmeton Gazeta Express.