Në kushte të mjerueshme jeton familja Alidema nga Prishtina.
Ky kontejner prej gjashtë metra katror që gjendet në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë, është vendi ku jeton familja Alidema.
61-vjeçarja Zylfije Alidema jeton bashkë me djalin e saj 31-vjeçar në këtë kontejner prej tetë vitesh.
Përveç kushteve të rënda ekonomike, shëndeti i tyre mendor është mjaft shqetësues dhe kjo e rëndon edhe më shumë jetesën në këtë hapësirë prej 6 metra katror.
“Nuk muj mu çu vallain nuk muj me ec, po tutna që po rrëozohna”, thotë Zylfija për lajmin e cila shton se nuk e di që sa vite është e sëmurë.
“Mjekët nuk vijnë me m’këqyrë. Nuk muj me shku te ambullanta se rrëzohna”, thotë ajo.
Djali i saj, i shtrirë në shtratin e kësaj dhome, nuk është i aftë që të punojë dhe të ecë, pavarësisht se ai është 31-vjeçar.
Zylfija thotë se ka kohë që djali i është rrëzuar dhe që nga ajo kohë ai është i sëmurë, por nuk e di se nga çfarë sëmundje vuan.
“Djali i ka 31 vjet. S’di vallain çka ka. Ni banesë që jemi kon, u çu u rrëzu edhe tash është pa qejf”, thotë 61-vjeçarja.
Jashtë këtij kontejneri gjenden edhe tualeti dhe banjoja e improvizuar e që shkuarjen deri aty, Zylfija dhe djali i saj e kanë mjaftë të vështirë.
Se kjo familje ka probleme shqetësuese mendore e konfirmojnë për lajmi.net edhe nga komuna e Prishtinës.
Zyrtarë të komunës kanë thënë se në vazhdimësi u ofrohet ndihmë nga Qendra e Punës Sociale.
“Familja dy anëtarëshe Alidema jeton në kontejnerin në Kodër të Trimave. Shëndeti i tyre mendor është shqetësues. Ata marrin pension invalidor. Nga QPS-ja në vazhdimësi ndihmohen me veshmbathje, ushqim dhe herë pas herë me drunj”, thuhet në përgjigjen e komunës dhënë për lajmi.net.
Sa i përket çështjes së banimit, nga komuna thonë se kjo familje ka refuzuar që të zhvendoset nga ky kontejner prej gjashtë metra katror.
“Ndërsa, sa i përket çështjes për banim, ata janë sugjeruar që të aplikojnë në Drejtori për tu subvencionuar me pagesa për qira, mirëpo të njëjtit kanë refuzuar”, kanë bërë të ditur nga Komuna e Prishtinës.
Në këtë vend në Kodrën e Trimave, dikur jetonin edhe familje të tjera, por që tashmë ka mbetur vetëm familja Alidema, pasi që të tjerat janë sistemuar në lagjen Hajvalia, ku komuna e Prishtinës e ka ndërtuar objekt për familjet me raste sociale.
Të gjithë ju që jeni të interesuar që ta ndihmon familjen Alidema, mund të drejtohen në zyrat e Kryqit të Kuq të Kosovës, dega në Prishtinë.