E dhimbshme: Flasin familjarët e gruas e cila humbi dhe foshnjën gjatë lindjes

11:52 | 14 February 2019

Nurie Rexhahmetaj, 41 vjeçarje nuk mundi që ta kryejë me sukses lindjen e tretë të saj, duke humbur foshnjën, e më pas edhe vet humbi jetën.

Detaje për këtë rast të ndjeshëm ka dhënë të mërkurën, Hajdar Rexhahmetaj-familjar i burrit të së ndjerës.

Nga familja, fajtor po i bëjnë zyrtarët e spitalit të Pejës. Sipas tyre, puna profesionale e mjekëve për këtë rast ka dështuar.

“Rasti ka ndodhë për shkak të pakujdesisë profesionale së mjekëve të spitalit të Pejë. Në momentin kur janë hy në sallën e lindjes, mjekët kanë gabua sepse nuk e kanë shiqu mundësinë që mos ta mundojnë atë përmes lindjes natyrale, po është dashur që ta çojnë atë në sallën e operacionit, sepse ajo ka qenë 41-vjece, dhe ka qenë lindja e tretë”, tregon për ngjarjen zotëri Rexhahmetaj.

Ai tutje shpjegon se deri në momentin sa e ndjera ka hyrë në sallën e lindjes, gjendja e saj shëndetësore ka qenë normale.

“Ne kur e kemi çu në spital, gjithçka ka qenë në rregull. Fryti ka qenë në rregull, mjekët atë e kanë kontrolluar vetë. Zonja ka shku në spital me dhembje të lindjes të cilat kanë qenë fillestare kur e kemi dërgu nga shtëpia për në repart të gjinekologjisë. Ngjarja ka ndodhë gjatë ditës së shtunë rreth orës 12:00 të ditës. Mjekët është dashtë që kur e kanë pa zonjën që s’po mundet me lindë natyral me e futë në operacion sepse në mënyrë natyrale u pa që nuk ishte e mundur. Sipas mjekëve në momentin kritik që ka lindë bebja, të gjithë mjekët janë marrë me beben e jo me nanen dhe vetëm kur e kanë pa gjakun në sallë, ajo ka kollabu si pasojë e gjakderdhjes”, shpjegon për rastin familjari i së ndjerës.

E nga familja, thonë se ende nuk e kanë marrë versionin zyrtar të Spitalit të Pejës rreth asaj së çka ka ndodhur në ditën kritike. Thonë se po e presin raportin e autopsisë dhe pastaj në pas të tij do t’i shqyrtojnë mundësitë që ta padisin spitalin e Pejë.

Komento: