E dhimbshme: Vdes 48-vjeçari nga Podujeva pasi aksidentalisht e zë traktori

17:24 | 18 Nëntor 2020

Vdes 48-vjeçari nga Podujeva pasi aksidentalisht e zë traktori.

Një 48-vjeçar nga fshati Potok i Podujevës ka humbur jetën sot si pasojë e rrokullisjes me traktor, shkruan Gazeta Express

Rastin për Gazetën Express e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.
“Rreth orës 11:00 është raportuar për një rast, lëndim i rëndë trupor, në fshatin Potok të Podujevës. Me të marrë informatën policia dhe ekipi mjekësor ka dalë në vendin e ngjarjes”, ka thënë Ahmeti.

Ahmeti ka deklaruar se nga të dhënat fillestare dyshohet se një traktor derisa ka qenë në lëvizje në terren malor, është rrokullisur.

Si pasojë e lëndimeve të rënda, një person ka vdekur.

“Mbështetur në të dhënat fillestare dyshohet se një traktor deri sa ishte në lëvizje në një terren malor, për shkaqe akoma të panjohura deri tani, është rrokullisur. Në këtë rast një person ka humbur jetën si pasojë e lëndimeve të rënda trupore që i janë shkaktuar. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes”, ka deklaruar Ahmeti.

Ahmeti bëri të ditur se trupi i pajetë i 48-vjeçarit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

“Trupi i pajetë i viktimës F.K mashkull 48 vjeç është dërguar për obduksion ndërkohë që policia po e heton rastin si vdekje të dyshimtë dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e duhura hetimore për të sqaruar të gjitha rrethanat që lidhen me rastin”, ka thënë Ahmeti.

Komento: