
Të shtëna me armë zjarri kanë tronditur mëngjesin e sotëm Gjakovën, ku një person ka mbetur i vdekur dhe një tjetër është plagosur rëndë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:20 në rrugën “Vëllezërit Frashëri”, ndërsa sipas informacioneve të para viktima është Rasim Binakaj (38-vjeçar), i cili ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit.
Nga të shtënat është plagosur edhe E. M (29-vjeçar), i cili ka pësuar plagë në kraharor dhe është dërguar për trajtim mjekësor. Sipas mjekëve, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetë.
Si i dyshuar për rastin përmendet N. Z, pronari i lokalit “My Place”, i cili dyshohet se është përfshirë në incident dhe pas ngjarjes është larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur.
Në vendin e ngjarjes policia ka gjetur pesë gëzhoja të armës së zjarrit, si dhe një mjet të mprehtë (thikë), që janë sekuestruar si prova materiale.
Në vendngjarje kanë dalë të gjitha njësitë relevante policore dhe hetimore, përfshirë edhe Kryeprokurorin e Shtetit, ndërsa rasti është iniciuar si “Vrasje e rëndë”.

Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i Rasim Binakajt është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa policia është vënë në kërkim të të dyshuarit Nexhdet Zymberaj.
Hetimet për këtë rast janë në zhvillim.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.