E fundit: Edhe një ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare ftohet nga Gjykata Speciale

20:27 | 11 Dhjetor 2018

Edhe një emër i ri, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare është ftuar nga Gjykata Speciale.

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Remzi Shala, i njohur me pseudonimin “Molla e kuqe”, është i ftuari i radhës për t’u intervistuar pranë Zyrës së Prokurorit të Specializuar për Kosovë në Hagë.

Këtë e ka konfirmuar ekskluzivisht për Gazetën Express vetë Shala, i cili ka thënë se ka marrë thirrje dhe urdhër që të paraqitet në Hagë më 17 janar të vitit 2019.

Gazeta Express e ka parë thirrjen që ka marrë Shala për të shkuar në Hagë.

Shalës, ish-komandant i njësisë speciale të Shtabit të Përgjitshëm të UÇK-së, nuk i janë dhënë detaje se në çfarë cilësie pritet të intervistohet.

Shala, nga Suhareka, ka thënë për Gazetën Express se nuk do t’i përgjigjet thirrjes së Gjykatës Speciale – duke rrezikuar kështu që të gjobitet apo edhe të dënohet me burgim, siç e paralajmëron thirrja.

Remzi Shala
“Unë, Komandant “Molla e Kuqe”, i togut të njësisë speciale të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK’së, kam pranuar ftesë nga Gjykata Speciale për t’u dorëzuar në Hagë. Deklaroj para gjithë popullit se nuk do të dorëzohem dhe nuk do t’i përgjigjem kësaj ftese”, ka thënë ai në një prononcim për Gazetën Express.

“Ata qe ma sollën këtë ftesë u deklaruan se janë policë të EULEX’it, ndërsa unë iu kundërpërgjigja se nuk e njoh këtë gjykatë, se unë jam shqiptar, dhe jam krenar për luftën që kam bërë”, është shprehur ai.

“Andaj, u bëj thirrje të gjithë shokëve të mi, si kur kemi dhënë besën për atdhe dhe për flamur, ashtu të jemi të një bese, mos ta njohim këtë gjykatë dhe mos të dorëzohemi në Hagë”, ka thënë Shala.

Pos Shalës, deri më tani nga Specialja për intervistë janë ftuar edhe Rrustem Mustafa – i njohur si Remi, Sokol Dobruna, Nazif Mehmeti dhe Sami Lushtaku.

T7 dhe Gazeta Express në tetor të këtij viti kishin raportuar se ish-udhëheqësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Kwai Hong Ip, në fund të muajit korrik, gjatë qëndrimit në Kosovë, por që ishte takuar me krerë të sistemit të drejtësisë, ai nuk është kthyer duarthatë për në Hagë.

Me vete, sipas këtyre raportimeve, ai kishte marrë edhe disa lëndë nga Gjykata Themelore në Prishtinë e Prizren, që kanë të bëjnë me krime lufte. Në mesin e atyre lëndëve që janë marrë për në Hagë, ka pasur edhe raste që tashmë kanë përfunduar në Kosovë.

Dy muaj pas këtij raportimi, javën e kaluar Gazeta Express ka konfirmuar se Prokuroria e Gjykatës Speciale ka nisur të ftojë për intervistim një grup ish-pjesëtarësh të UÇK-së.

Në mesin e tyre edhe dy njerëz të rëndësishëm në hierarkinë e këtij grupi ushtarak që luftuan për Çlirimin e Kosovës, gjatë fundviteve ’90.

Vetëm pak minuta pas raportimit të parë të gazetës, Avokati Arianit Koci, të enjten mbrëma, ka konfirmuar se klienti i tij Rrustem Mustafa, i njohur si Remi, është njëri prej tyre.

Një ditë më pas, Gazeta Express raportoi se edhe një tjetër figurë e rëndësishme e UÇK’ së do të intervistohej për krime lufte. Të hënën, Sokol Dobruna konfirmoi në emisionin “Pressing” në T7, se bëhej fjalë për të.

“Më 12 ma ka caktu termini kur duhet me u paraqit […] Unë supozoj se mund të jem qoftë dëshmitar qoftë i akuzum, por nuk e di pse duhet me qenë”, tha ish-kryetari i Gjykatës Ushtarake të UCK-së.

Tutje, ai në T7, tha se UÇK-ja nuk ka kryer asnjë krim, sikurse as gjykata që ai ka drejtuar në luftë nuk ka lejuar asnjë ekzekutim, edhe pse kishte të dënuar.

“Jo nuk kam kryer krime. Kuptohet se do të bashkëpunoj, por në çfarë rrafshi në çfarë aspekti nuk e di”, tha ai.

Të martën, në media është zbuluar edhe emri i personit të pestë të ftuar nga Specialja për intervistim.

Nazif Mehmeti, ish-komandant i policisë ushtarake në Llap, sipas avokatit të tij, Tahir Rrecaj do të japë dëshminë e tij më Hagë më 22, 23 dhe 24 janar të vitit të ardhshëm.

Mehmeti, sikurse ish-eprori i tij ushtarak, Rrustem Mustafa në Kosovë janë dënuar për krime lufte në rastin e njohur si “Grupi i Llapit”. Bashkë më ta ishin dënuar edhe Latif Gashi dhe Naim Kadriu – tashmë i ndjerë.

“Grupi i Llapit” ishin dënuar për urdhërimin dhe pjesëmarrjen në rrahjen dhe torturimin e civilëve shqiptarë të Kosovës që mbaheshin në paraburgim në Llapashticë, në një përpjekje që ata të paraburgosur të detyrohen të pranojnë veprimet e tradhtisë ndaj UÇK-së.

Gjykata Speciale ftesë i ka dorëzuar edhe ish-komandantit të zonës së Drenicës Sami Lushtaku, po ashtu i liruar në Kosovë, nga akuzat për krime lufte. Në fakt, Lushtaku ishte shpallur fajtor nga një Gjykatë Themelore në Kosovë, por ishte liruar vitin e kaluar nga Gjykata Supreme.

Pos disa prej figurave të rëndësishme të UÇK-së, Gazeta Express javën që shkoi ka raportuar se Prokuroria e Gjykatës Speciale ka ftuar për intervistim edhe dy ish-ushtarë tjerë të thjeshtë të UÇK-së.

Dhomat e Specializuara të Kosovës, të njohura si Gjykata Speciale, janë votuar në Kuvend të Kosovës, në gusht të vitit 2015. Përmes ligjit të veçantë, këto Dhoma të Specializuara u themeluan për të gjykuar disa krime të caktuara të kryera prej 1 janarit 1998 deri më 31 dhjetor 2000, brenda territorit të Kosovës.

Ato u krijuan si pasojë e një raporti të zviceranit Dick Marty, që e paraqiti para Këshillit të Europës në janar të 2011.

Raporti përmban pretendime për krime të rënda, që supozohet t’i ketë kryer UÇK-ja gjatë dhe menjëherë pas luftës së fundit në Kosovës. Të njëjtat supozime u mbështeten edhe në një libër që e kishte shkruar ish-prokurorja e Tribunalit Special, Carla Del Ponte, tri vjet para se Marty ta hartonte raportin.

Në mars të këtij viti, pas katër vitesh nga themelimii Gjykatës Speciale, ishte dorëhequr nga detyra Prokurori i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, David Schwendiman. Vetëm pak muaj para largimit të tij, ai kishte deklaruar se aktakuzat e Speciales tashmë ishin gati për t’u ngritur.

Detyrën e tij përkohësisht e ka ushtruar Këai Hong Ip, deri më 11 shtator kur u emërua amerikani Jack Smith. Ai u zgjedh në pozitën e Prokurorit të Specializuar pas një procesi të organizuar nga BE dhe udhëhequr nga shefja e misionit të EULEX-it.

Komento: