E kaluara e errët e Calhanoglut të Milanit

13:10 | 29 April 2020

E kaluara e errët e Calhanoglu: Ar.më dhe depresion.

Sot është një profesionist i vlerësuar në Serie A, ku luan me Milanin që nga sezoni 2017-2018. Megjithatë, fillimi i karrierës së Hakan Calhanoglu ishte shumë i trazuar dhe i paqartë, midis shokëve të kombëtares, që i drejtojnë edhe ar.mën. Po kështu, u diagnostikua me depresion, çka e shtyu atë ta përfundonte aventurën me Hamburgun mes polemikave, para se të shkonte te Bayer Leverkusen.

I lindur në Mannheim, Gjermani, më 8 shkurt 1994, me prindër turq nga Trabzoni, Hakan filloi të luante në moshë të re me akademinë e FC Turanspor Mannheim dhe Polizei SV Mannheim. Që 7 vjeç u transferua te Ëaldhof Mannheim, ndërsa në moshën 15-vjeçare bëri kapërcimin më të rëndësishëm, duke hyrë në sektorin e të rinjve të Karlsruher. Aty, në rolin e mesfushorit-sulmues, me ekipin e parë debutoi në Bundesliga 2, sezoni 2011-2012, por sezoni pasues ishte shpërthimi i vërtetë.

Në verë u ble nga Hamburgu, i cili, megjithatë, e la të huazuar edhe për një sezon tjetër te Karlsruhe në Bundesliga 3. Calhanoglu shënoi 17 gola në 36 paraqitje dhe dha kontribut thelbësor për ekipin, që të kthehej në Bundesliga 2. Pikërisht që këtu, lojtari turk fillon të bëhet një specialist i goditjes së lirë. Në verën e vitit 2013 u transferua te Hamburg dhe më 11 gusht bëri debutimin në Bundesligë, në barazimin 3-3 me Schalke 04.

Ndërkohë, ai zgjodhi Turqinë si ndërkombëtar, duke kaluar nëpër të gjitha kombëtaret e këtij vendi të origjinës. Në kampionatin elitar gjerman e shënoi golin e parë kundër Eintracht Frankfurt, ndërsa më 13 shtator 2013, Fatih Terim i dha mundësinë të debutojë me ekipin kombëtar turk në ndeshjen “shtëpiake”, 5-0 kundër Andorrës, një kualifikuese për Botërorin 2014.

Në kontekstin e dhomës së zhveshjes së Turqisë, më 15 tetor, megjithatë, ndodh episodi i parë, që do ta shënjojë fort Calhanoglu. Pas humbjes 2-0 ndaj Hollandës, në transfertë, Gökhan Töre futet plotësisht i dehur, me disa miq, në dhomën e hotelit të Toprak, ku ndodhej edhe Hakan. Sipas versionit zyrtar të fakteve, ishte vetë Töre, që nxori një ar.më zjarri kundër dy shokëve të skuadrës.

Në fillim, lojtari i Besiktas do ta vinte pistoletën në gojën e Toprak, pastaj edhe në gjurin e Calhanoglu, duke iu thënë atyre të mos lëviznin. Ndoshta ishte një çështje femrash, ose ndonjë shaka budallaqe. Fatmirësisht, megjithatë, gjithçka do të përfundonte pa pasoja.

Sipas një narrative tjetër të fakteve, megjithatë, do të ishte një nga miqtë e Töre, që do ta drejtonte ar.mën nga dy lojtarët, ndërsa Tore dhe një mik i Toprak, Omer, gjithashtu ishin të pranishëm në dhomë. Fakti është se Töre e pagoi këtë me përjashtim të gjatë nga kombëtarja, ndërsa Calhanoglu dhe Toprak u tmerruan në të vërtetë nga ajo që ndodhi.

“Ishte e vështirë për mua, vërtet u frikësova, – tha lojtari aktual i Milanit për ZDF, muaj më vonë. – Nuk mund të lëvizja. Unë isha duke qëndruar në një cep të dhomës së hotelit. Tani, të gjithë janë duke qeshur, por nuk ka absolutisht asgjë për të qeshur me gjithë këtë”. Në vjeshtën e vitit 2014, megjithatë, Terim vendosi që ta rikthejë Gökhan Töre në kombëtare. Po kështu, dy viktimat e agresionit të vitit 2013, i thirri për ndeshjet me Çekinë dhe Letoninë, por ata refuzuan.

Menjëherë shpërthyen thashethemet e pakontrolluara, sipas të cilave ishte prania e Tore në kombëtare, ajo që nuk tolerohej. Babai i vetë Hakan, Huseyin, tha: “Për sa kohë që Gokhan Tore është atje, Hakan do ta refuzojë thirrjen e ekipit kombëtar. Unë e pyes Terim se çfarë do të bënte nëse djali i tij kërcënohej ashtu nga shoku i ekipit”. Justifikimi zyrtar i mungesës së tyre ishte dëmtimi i dyfishtë, që pengoi Calhanoglu dhe Toprak të shkojnë në ekipin kombëtar.

“Unë u lëndova në ndeshjen kundër Paderborn, – siguronte Calhanoglu për ZDF. – Völler më tha që nuk mund të luaja. U lëndova me të vërtetë, mungesa në kombëtare nuk ka të bëjë me Gökhan Töre. Në çdo rast, unë mendoj se do të flas me Terim për këtë dhe do të shpjegoj situatën”. “Me sa di unë, Gökhan tashmë ka kërkuar falje tri herë”, – përgjigjej Terim.

Calhanoglu la mënjanë aferën e shëmtuar dhe jo saktësisht të qartë me Turqinë, duke i dhënë fund vitit të tij të parë në Hamburg, si dhe në Bundesliga, me 11 gola, duke përfshirë një goditje të lirë prej 42 metrash kundër Borussia Dortmund, në 34 ndeshje të luajtura. Qëndrimi aty duket i destinuar të zgjasë, duke pasur parasysh që në qershor, lojtari turk betohet për dashuri e besnikëri ndaj klubit: “Unë dua të bëhem një kolonë kryesore e Hamburgut”.

Papritur, megjithatë, ai ndryshon mendim, nuk shfaqet në grumbullimin e ekipit dhe ndryshon numrin e telefonit. Pra, ishte e pamundur për ta gjetur. Një çertifikatë mjekësore arrin me faks te Hamburgu, që justifikon mungesën e tij: depresion. Dhe më pas, kërkesa për t’u transferuar.

Megjithë protestat shumë të ashpra të tifozëve, të cilët vandalizojnë makinën e tij, Calhanoglu kalon te Bayer Leverkusen për 15 milionë euro, duke nënshkruar një kontratë 5-vjeçare. Me “aspirinat” kapërcen momentin e vështirë dhe bëhet një nga protagonistët e shkëlqyer të Bundesligës (28 gola në 115 paraqitje gjithsej).

Para se të pranonte ofertën e Milanit në verën e vitit 2017 dhe të transferohej në Itali, turku i datëlindjes 1994 vuajti gjithashtu një skualifikim 4-mujor, të marrë nga CAS, për nënshkrimin e një kontrate me Trabzonspor më 2011, ende i mitur, përmes babait të tij. Te kuqezinjtë ka treguar seriozitet dhe profesionalizëm, duke lënë përfundimisht pas episodet e errëta të së kaluarës së tij. /Telesport

Komento: