E konfirmon Bislimi: Kurti e Vuçiq pritet të takohen në tetor

14:48 | 05 October 2022

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka thënë se ka pritje që gjatë muajit tetor të ketë takim Kurti-Vuçiq por sipas tij nuk është e konfirmuar.

“Ka pritje që edhe gjatë muajit tetor të organizohet një takim por nuk është e konfirmuar. Kemi marrëveshje që janë në zbatim e sipër prej të cilave nuk jemi të kënaqur me zbatimin”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se ka presion të tmerrshëm nga Serbia mbi qytetarët serb të Kosovës për t’i frikësuar ata në mënyrë që të mos i konvertojnë targat e veturave.

“Ka presion të tmerrshëm të Serbisë të qytetarët serb në Kosovë duke i frikësuar ata që të mos i kovertojnë veturat e tyre. Afati i fundit është me datën 31 tetor”, ka thënë ai.

Gjatë raportimit në Komisionin për Integrime Evropiane, Bislimi ka folur edhe për qëndrimin e Kosovës sa i përket aplikimit për statusin e vendit kandidat.

“Nuk ka obligime të caktuara që një vend duhet të plotësojë. Jemi në vitin e gjashtë të zbatimit të dokumenteve strategjike që është vlerësim i përgjitshëm që Kosova sot ndodhet dukshëm më mirë se vendet e rajonit në kohën kur kanë aplikuar për këtë status. Është momenti vendimtar që aplimi të përmbyllet gjatë këtij viti”, ka thënë ai.

Ndërsa për çështjen e liberalizimit të vizave ai ka përsëritur se nuk do të japin data paraprakisht.

Ai ka thënë se kjo temë është pjesë e takimit të ardhshëm të grupit punes më 13 tetor.

“Disa nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë kërkuar një rivlerësim të raportit të Komisionit Evropian se çfarë progresi ka pasur Kosova nga viti 2018. Shpresojmë që të gjitha hapat përmbyllen në një periudhë të shkurtë, e shohim të panevojshme dhe të padobishme të dalim me data se kur do të ndodh liberalizimi vizave”, ka thënë ai.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu ka thënë se qeveria nuk duhet ti kthejë në akuza paaftësinë e saj. Ajo ka thënë se opozita nuk është penguese, por progresi i qeverisë është i pakët.

“Kam ardhur sot t’i votoj marrëveshjet ndërkombëtare sepse konsideroj se interesi nacional duhet të na bëjë bashkë pozitë e opozitë. Kam ardhur sot edhe për tu thënë juve se nuk jemi ne pengues shteti, sidomos kur thirrjet tuaja janë të votohen ligjet, partia që udhëheq sot me vendin për shkak të paaftësisë së saj nuk do të ishte e ndershme që edhe pas dy viteve punë gishtin ta kthejë opozita. Ishte e turpshme video skandaloze. Ju po e shihni sot që as opozita nuk po ju pengon, as në komisione. Kthehuni nga vetja dhe angazhohuni të punoni shumë e mos akuzoni opozitën dy vjet pasi keni marrë përgjegjësi me udhëheq me vendime e fatkeqësisht progresi është i pakët. Mosaftësinë e juaj mos e ktheni në akuza”, ka thënë Deliu në Komisionin për Integrime Evropiane ku po raporton zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

“Dy deputetë të mazhorancës nuk janë këtu dhe është kërkuar të vijnë të votojnë”, ka shtuar Deliu.

Komento: