E konfirmon Kurti: Bislimi udhëtoi për në Bruksel për të diskutuar për targat

12:28 | 23 November 2022

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar në lidhje me udhëtimin e zv/kryeministrit Besnik Bislimi për në Bruksel.
Kurti ka deklaruar se udhëtimi i Bislimit për në Bruksel lidhet pikërisht me çështjen e targave
.

Ai në një konferencë për media, ka deklaruar se Bislimi është atje pasi do të takohet me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak si dhe përfaqësuesin e Serbisë për dialogun, Petar Petkoviq.

Bislimi tashmë është nisur për në Bruksel dhe kjo është konfirmuar edhe nga kabineti i tij.

Prej shumë javësh, situata në veri të vendit është e tensionuar.Si fillim si shkak i vendimit të Qeverisë që serbët të konvertojnë targat e automjeteve nga ato ilegale në RKS, bëri që një numër i madh i serbëve të dorëhiqen nga institucionet drejtuese në vend.

Si fillim u bë shkarkimi i drejtori të Policisë së Kosovës në Mitrovicë të Veriut, e më pas rreth 600 policë nga nacionaliteti serb u larguan duke dorëzuar edhe pajisjet e tyre policore.

Më pas dorëheqjen e bënë të ditur edhe zyrtarët e Listës Serbe, e bashkë me ta edhe prokurorë, gjyqtarë, zyrtarë të Doganës së Kosovës e zyrtarë të KQZ-së.

Pas gjithë këtyre dorëheqjeve, Kurti kërkoi nga ta që të mos braktisin institucionet.

Gjatë të hënës në Bruksel, Kurti zhvilloi takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, por nga ky takim nuk pati asnjë dakordim për targat.

Pas kësaj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkuan nga Kurti që të shtyjë vendimin për shqiptimin e gjobave prej 150 euro ndaj serbëve që nuk kanë konvertuar këto targa.

Kurti më pas vendosi që të dëgjojë ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier dhe e shtyu këtë vendim për 48 orë.

Nesër pritet që ky vendim të përfundojë, derisa nuk dihet nëse Policia e Kosovës do të nis me shqiptimin e gjobave, apo në takimin e sotëm në mes Bislimit dhe Petkoviq do të arrihet ndonjë marrëveshje.

Gjatë gjithë kësaj kohe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE kanë kërkuar që situata të zgjidhet përmes dialogut, ndërsa nga Kosova u kërkua që menjëherë të krijohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, gjë të cilën e kundërshtoi hapur Kurti.

Komento: