E konfirmon Kurti në Slloveni: Sot takohem me Vuçiqin

10:55 | 06 Tetor 2021

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka konfirmuar se sot në Slloveni do të takohet edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kurti këtë ua ka konfirmuar gazetarëve të cilëve u ka thënë se takimi do të ndodhë mes dy sesioneve të Samitit të Brdo-s.

Në takim, siç bëhet e ditur, do të jenë edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, si dhe presidenti francez, Emanuel Macron.

Më herët në një deklaratë për media, Kurti tha se Kosovës i është bërë një e padrejtë e madhe me mos-liberalizimin e vizave, ani pse Komisioni Evropian ka dhënë rekomandim pozitiv që tre vite.

“Kanë kaluar më shumë se 3 vjet kur Komisioni Evropian ka rekomanduar për herë të dytë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Ka qenë një padrejtësi e madhe ndaj qytetarëve të shtetit tonë, të cilët kanë vuajtur mjaft”, ka thënë Kurti, transmeton lajmi.net.

Ai ka thënë se Bashkimi Evropian duhet t’i qëndrojë besnike esencës së saj, e që është zgjerimi.

“Ne jemi Evropë por edhe Bashkimi Evropian duhet të jetë Evropë. Ne e kemi Bashkimin Evropian destinacion, nuk kemi pranuar as edhe një vaksinë nga Kina e Rusia, Evropa është kontinenti jonë”, ka thënë Kurti.

I pyetur për tensionet e fundit mes Kosovës e Serbisë dhe situatën e krijuar, ai ka thënë se zgjedhja më e mirë dhe afatgjate është njohja e ndërsjelltë mes dy shteteve.

“Jemi duke bërë më të mirë tonën dhe e vetmja zgjedhje afatgjate mes Kosovës dhe Serbisë është njohja e ndërsjelltë”, ka thënë kryeministri Kurti.

Komento: