Ministria e Shëndetësisë e ka konfirmuar se Iljasa Fazliu punonte në QKUK dhe në ordinancat e tij pa licencë pune. Ndonëse s’kishte licencë, Fazliu poashtu e mbante pozitën e shefit në ORL, i emëruar nga ud. Prnavera Zejnullahu-Raçi.
Defektologu Iljasa Fazliu punonte në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe në ordinancat e tij private, pa licencë pune. Kjo është konfirmuar nga Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje për Gazetën Shneta.
Sipas MSH-së Fazliu kishte licencë pune nga ky institucion vetëm deri më datën 18 shtator të këtij viti. Ai u emërua shef më 9 shtator edhe përkundër se s’kishte licencë vazhdonte të punonte dhe të mbante pozitën në QKUK.
“Licenca e parë është lëshuar me datë 12.04.2005 dhe ka skaduar me datë 12.04.2010. I njëjti është ri-licencuar me datë 18.09.2017 (asokohe ri- licencimi nuk ka qenë ende përgjegjësi e transferuar të odat) dhe data e skadimit te licencës së tij është 18.09.2022. Nga viti 2018 e tutje ri-licencimi është bartur si përgjegjësi nga MSh tek odat përkatëse profesionale, në rastin konkret të OIK.”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.
Ditë më parë MSH ka konfirmuar poashtu se ordinanca e Fazliut “AAR Logo Plus” nuk ishte e licencuar nga ky institucion.
Fazliu ishte avancuar në QKUK në pozitën e shefit në Klinikën e ORL-së më 9 shtator nga ud. Pranvera Zejnullahu-Raçi. Ai nuk është as anëtar i Odës së Infermierëve.
Në Ligjin e Odave të Profesionistëve shëndetësor, Neni 8 e përcakton se çdo profesionist shëndetësor është i obligueshëm të jetë anëtar i odave për të ushtruar veprimtarinë profesionale.
“1. Anëtarësimi në Oda është i detyrueshëm për të gjithë doktorët e mjekësisë, doktorët e stomatologjisë, farmacistët e diplomuar, infermierët e diplomuar, mamitë e diplomuara, fizioterapeutët e diplomuar, laborantët e lartë mjekësor, logopedët e diplomuar, foniatët e diplomuar, psikologët klinik, profesionistët tjerë shëndetësor me kualifikim të mesëm dhe të lartë të përcaktuar në regjistrin zyrtar të ministrisë të cilët ushtrojnë veprimtarinë e tyre shëndetësore në Republikën e Kosovës.
2. Anëtarësimi në Oda është i detyrueshëm edhe për profesionistët shëndetësor nga paragrafi 1. I këtij neni të cilët ushtrojnë veprimtarinë e tyre në kushte të mbrojtjes sociale, institucione tjera të organeve shtetërore, në fakultete, gjegjësisht në shkolla profesionale, në ambulanca të mjekësisë së punës si dhe në të gjitha rrethanat tjera ku ushtrohet veprimtaria shëndetësore në përputhje me ligjet në fuqi”, thuhet në nenin 8 të këtij ligji.
Iljasa Fazliu është pezulluar nga puna në QKUK pas arrestimit nga Policia e Kosovës, për shkak të skandalit të abuzimit me 5-vjeçaren e prekur nga autizimi, në njërën nga ordinancat e tij.