E konfirmon Presidenca çeke: Vizat hiqen nga agjenda për shkak të tensioneve për targat

11:36 | 23 November 2022

Situata në veri të vendit ka ndikuar në agjendën e takimit të sotëm të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së, duke hequr nga rendi i ditës diskutimin për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Për shkak të zhvillimeve politike në veri të Kosovës, nuk është e përshtatshme ta kemi këtë pikë në agjendën e Coreper-it [trupi i ambasadorëve]”, ka konfirmuar Presidenca çeke për Gazetën Express.

Po ashtu, zëdhënësja e këtij institucioni, Eva Hrncirova, ka thënë se çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën është në procedurë të brendshme të Këshillit, derisa ka bërë thirrje që të ulen tensionet në veri të vendit.

“Presidenca çeke e mban Ballkanin Perëndimor lart në agjendën e saj, veçanërisht tani përpara Samitit BE-Ballkani Perëndimor. Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën është në procedurë të brendshme të Këshillit. Bëjmë thirrje për një deeskalim të menjëhershëm të situatës aktuale në Kosovë në lidhje me targat e veturave”.

Megjithatë, pika për liberalizimin e vizave është hequr vetëm nga agjenda e takimit të sotëm meqë në një përgjigje më herët për Express, Presidenca çeke tha se vizat do të jenë në agjendën e javëve të ardhshme.

“Ne jemi shumë afër një kompromisi në Këshill për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe në javët e ardhshme ai do të zhvendoset në nivel të ambasadorëve. Data për të cilën po punojmë për zbatimin e udhëtimit lirshëm aktualisht është 01.01.2024”.

Dje është mbajtur mbledhja e Grupit Punues për Vizat në Bruksel ku në agjendë kishte diskutimin për liberalizimin e vizave të Kosovës. Kjo është hera e tretë që këtë muaj ky Grup Punues diskuton për vizat e Kosovës.

Komento: