Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi, ditë më parë ka konfirmuar se Berlini dhe Parisi janë në pritje të një përgjigje nga kryeministri Albin Kurti për punën e propozimeve që ndërlidhen me dialogun Kosovë-Serbi dhe se për këtë çështje është vendosur një afat kohor.
Megjithatë nga Qeveria Federale e Gjermanisë në një përgjigje për Gazetën Express të pyetur rreth afateve kohore dhe nëse kanë marrë ndonjë përgjigje kanë thënë se diskutimet për propozimet janë duke vazhduar ende.
Nga Berlini e përsërisin në vazhdimësi se është bindje e Qeverisë Gjermane se çështjet politike që çojnë drejt normalizimit të plotë në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të trajtohen në mënyrë venidmtare dhe të shpejtë në mënyrë që të mos krijohen hapësira për përshkallëzim në terren.
“Në takimet e fundit të nivelit të lartë kjo është nënvizuar dhe propozimet për këtë qëllim janë diskutuar në mënyrë konfidenciale. Këto diskutime po vazhdojnë”, ka thënë për Express një zëdhënës i Qeverisë gjermane.
Numri dy i Qeverisë dhe shefi i ekipit negociator të Kosovës, Besnik Bislimi, javën e kaluar ka treguar se top-këshilltarët e Scholz dhe Macron gjatë vizitës së tyre në Prishtinë dhe Beograd, bashkë me propozimet kanë lënë edhe afatin kohor për përgjigje.
“Mendoj se Kurti do të dërgojë përgjigjen e tij në momentin që i është kërku me e dërgu përgjigjen. Ka afat, duhet me dërgu”, ka pohuar zëvendëskryeministri Bislimi në një intervistë në ATV.
Vizita e këshilltarëve kryesorë të Macron dhe Scholz në rajon ka shënuar edhe rikthimin me kapacitet të plotë të Parisit dhe Berlinit në procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë. Një aktivitet i tillë i shtuar s’ishte vërejtur që nga koha kur Angela Merkel ka qenë kancelare.
Ndëkrohë nga hisedarët e negociatave në vazhdimësi janë duke u përmendur afate për përmbylljen e marrëveshjes në mes të dy shteteve. Emisari i BE-së, Miroslav Lajcak, ka ritheksuar se do të ishte mirë të shfrytëzohet periudha pa zgjedhje deri në vitin 2024.
Kryeministri Albin Kurti ndërkohë kur ka folur për afatet në një intervistë për DW, ka thënë se mendon që s’janë në dispozicion as edhe dy vite për të gjetur një zgjidhje finale.
E presidenti i Serbisë, Aleksnader Vuçiq, ka thënë se s’bëhet fjalë as për vite e as për muaj por për javë.