E konfirmon Qeveria: Kurti dhe Vuçiq takohen më 14 shtator

13:13 | 02 Shtator 2023
e-konfirmon-qeveria:-kurti-dhe-vuciq-takohen-me-14-shtator

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq më 14 shtator do ta zhvillojnë takimin e radhës në kuadër të dialogut.

Këtë e ka konfirmuar për Front Online, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

“Takimi i radhës i nivelit të lartë politik në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE planifikohet të zhvillohet me 14 shtator”, ka thënë ai për Front Online.

Ndërsa, sa i përket agjendës, ka bërë të ditur se do të dalim me njoftim ditëve në vijim.

“Për agjendën e plotë të këtij takimi do të njoftoheni ditëve në vijim”, ka shtuar Kryeziu.

Kurti dhe Vuçiq janë takuar për herë të fundit më 2 maj – nëntë ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të Kosovës, të cilat janë bojkotuar nga popullata lokale serbe. Nga ajo kohë, mes dy vendeve ka pasur një sërë tensionesh dhe krizash.

Më 30 gusht, BE-ja përsëriti thirrjen për të dyja që të krijojnë një klimë për vazhdimin e dialogut.

Dy vendet, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, janë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011. Ndonëse kanë arritur dhjetëra marrëveshje në fusha të ndryshme, zbatimi i shumicës prej tyre ka ngecur./Front Online

Komento: