E kritikoi Radojçiqin,Trajkoviq merr kërcënime me vdekje: MPB dhe Prokuroria serbe s’po bëjnë asgjë

20:00 | 26 August 2022

MPB, ende nuk ka reaguar pas kërcënimeve që iu ka bërë Rada Trajkoviqit.

Politikanja serbe e Kosovës, Rada Trajkoviq ka denoncuar para pak ditësh disa kërcënime me vdekje që kanë shkuar në adresë të saj, pasi e kishte quajtur “kukull” zëvendëskryetarin e Listës Serbe, Milan Radojçiq. Por, ajo po ankohet se nuk po ndërmerret asnjë veprim ndaj kërcënuesve të saj.

Trajkoviq kishte thënë se Radojçiq nuk është udhëheqës i vertetë, prandaj sipas saj, ai s’mund t’i udhëheqë ata për t’u mbrojtur në mënyrë të armatosur në rast nevoje.

Ajo raportoi se kishte marrë kërcënime nëpërmjet telefonit që lidheshin me deklaratën e saj ndaj Radojçiq. Trajkoviq këto kërcënime i kishte denoncuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë dhe Prokurinë Serbe.

Sot, Trajkoviq ka reaguar publikisht, duke thënë se nuk është ndërmarrë asnjë veprim nga institucionet serbe, përkundër denoncimit të saj.
“Ende nuk ka asnjë reagim nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë dhe Prokuroria për kërcënimet e drejtpërdrejta me jetë që më janë dërguar të hënën. Unë ende kam besim te institucionet. Shpresoj jo kot”, ka shkruar ajo sot në Twitter.

Komento: