Nëna braktis fëmijën në spital.
Një foshnjë e gjinisë mashkull u braktis në Spitalin Rajonal të Pejës, nga prokuroria thonë se ende nuk janë identifikuar prindërit.
Erdhi në jetë në shtëpi, para gjashtë ditësh.
E dy ditë pas, një grua nga Peja e dërgoi këtë foshnje të gjinisë mashkull në spital dhe nuk u kthye më për ta marrë.
Identiteti i kësaj gruaje ende nuk dihet mirëpo ajo i tha stafit të spitalit të Pejës se e kishte sjellë për ta kontrolluar dhe u tregoi që e kishte lindur me 19 maj.
Teksa stafi po merrej me të porsalindurin, ajo iku.
Gjendja shëndetësore e foshnjës u vërejt që nuk është e mirë, andaj ai u soll në kujdes intensiv në QKUK.
I porsalinduri po vazhdon të qëndrojë në inkubator, deri sa ta marrë vetën.
Që të bëhet identifikimi i nënës që braktisi foshnjën po merret edhe Prokuroria e Pejës.
Edhe pas tentimit të televizionit T7 për të marrë më shumë informacione lidhur me rastin Policia rajonale e Pejës nuk ka qenë e qasshme.
Ndërkohë në repartin e Neonatologjisë në 5 mujorin e parë të viti 2019 janë pranuar 17 raste, shifra këto që tregojnë se është rritur numri i braktisjeve nga viti i kaluar.
Dhjetë nga ta janë bashkuar me familjet e tyre, 5 janë në klinikë ndërsa 2 te tjera me ndihmën e ministrisë së mirëqenies sociale, janë strehuar në dy familje.