
Dita e martë ka qenë e ‘përgjakur’ në Kosovë, pasi tre persona kanë humbur jetën sipas rasteve të raportuara nga Policia e Kosovës, ku dy prej viktimave vdiqën si pasojë e aksidenteve në trafik, ndërsa një rast tjetër është duke u hetuar si “hetim i vdekjes”, pasi një person u gjet pa shenja jete në Viti.
Një 24-vjeçare humbi jetën në orët e para të mëngjesit në fshatin Komoran të Drenasit, pasi vetura me targa vendore në të cilën ndodhej u përfshi në një aksident trafiku.
Nga aksidenti mbetën të lënduar edhe tre persona të tjerë – një burrë dhe dy gra. Me urdhër të prokurorit, trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
E një aksident tjetër me pasojë vdekjen ndodhi rreth orës 10:00 në rrugën “Besim Ndreca” në Suharekë.
Sipas policisë, drejtuesi i një veture humbi kontrollin mbi automjetin dhe u përplas me një objekt, ku si pasojë e lëndimeve të marra, ai ndërroi jetë në vendin e ngjarjes. Edhe në këtë rast, trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Derisa në Viti, rreth orës 16:30, një burrë është gjetur pa shenja jete. Vdekja e tij u konstatua nga mjeku kujdestar, ndërsa rasti është iniciuar si “hetim i vdekjes”. Me vendim të prokurorit, trupi është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa hetimet për zbardhjen e rrethanave të vdekjes janë në vazhdim e sipër.
E përveç kësaj, dje vendin e ka përfshi një stuhi e rrezikshme, me shi, erëra të forta, e breshër, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme si në objekte, biznese, shtëpi e bujqësi.
Dersia edhe sot sipas IHMK-së, niveli për stuhi është i portokalltë, pasi pritet stuhi e fuqishme me erëra, e shkarkesa të fuqishme të rrufeve, prandaj edhe është apeluar që qytetarët të kenë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes./GAZETA10