E mbani mend rastin e Donjetës, dëshmitarët vijnë me rrëfimet rrënqethëse sot – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

E mbani mend rastin e Donjetës, dëshmitarët vijnë me rrëfimet rrënqethëse sot

19:38 | 29 Janar 2019

Rasti i zhdukjes, e pastaj gjetja e trupit të pajetë të Donjeta Pajazitit nga Strellci, ishte rasti që tronditi të gjithë.

Donjeta u zhduk për 39 ditë ku më pas u gjet pa shenja jete në bjeshkët e Strellcit.

Trupi i saj u gjet pothuajse i tëri i dekompozuar dhe sipas ekspertëve mjeko-ligjor, para gjetjes, ishte kafshuar nga kafshët në pjesë të ndryshme.

Për rastin po akuzohet kushëriri i saj Naser Pajazitaj, i cili ishte kapur në të pame të Donjetës. Ai tash është në liri. Gazeta Express sjell dëshmitë e plota të katër dëshmitarëve, familjarë e bashkëfshatarë të të dyja familjeve. Gjithashtu, edhe dëshminë e plotë të ekspertit mjeko-ligjor, i cili tregoi se në çfarë gjendje e kanë gjetur trupin e Donjetës.

Donjeta Pajazitaj, një vajzë e moshës 24-vjeçare nga Strellci i Poshtëm i Komunës së Deçanit ishte zhdukur për 39 ditë. Familjarët atë e panë për herë të fundit duke shkuar në punë.

Trupi i saj, u gjet më 9 nëntor të 2015 në bjeshkët e Strellcit. Nga dorasi Donjeta ishte qëlluar me dy plumba në kokë. Kështu thotë ekspertiza mjeko-ligjore.

Dëshmi për gjetjen e trupit të saj, sot ka dhënë eksperti mjeko-ligjor Naim Ukaj para Gjykatës Themelore të Pejës, ku kanë nisur tashmë seancat e rigjykimit për këtë rast. Që kur rasti është në rigjykim, i akuzuari Naser Pajazitaj, gjendet në liri.

Gazeta Express sjell dëshmitë e katër dëshmitarëve që kanë dëshmuar lidhur me ngjarjen, për takimet e tyre me të akuzuarin Naser Pajazitajn dhe Donjeta Pajazitajn, por edhe me personat e tjerë të fshatit.

Eksperti mjeko-ligjor, Naim Ukaj, ia ka paraqitur Gjykatës ekspertizën e mjekësisë ligjore lidhur me gjetjen e trupit të Donjetës dhe konstatimet e tyre se si ndodhi ky krim.

Gjatë kryerjes së autopsisë, eksperti deklaroi se gjetja e trupit të Donjetës fillimisht ishte konstatuar me mungesë indesh në sipërfaqe të ndryshme trupore. Pjesa kockore e kokës së Donjetës është gjetur e ndarë nga pjesa tjetër trupore. Gjithashtu, sipas autopsisë, pjesa më e madhe e kockave të gjoksit ka munguar në trupin e saj.

Autopsia ka konstatuar se në trupin e saj ka pasur edhe gjurmë të kafshimeve nga shpezët dhe shtazët e ndryshme, të cilat thonë se ua kanë vështirësuar gjetjen e provave mjekoligjore me të cilat do të konstatoheshin detaje të imëta gjatë ekzaminimit të trupit të Donjetës.

Eksperti Naim Ukaj dëshmoi se sipas provave mjekoligjore, në trup të saj janë gjetur dy plagë tejshkuese të shkaktuara nga veprimi dinamik i predhave të hedhura nga arma e zjarrit.

“Mund të deklaroj me besueshmëri të lartë shkencore se koha e humbjes së jetës ka qenë pas 20 deri në 30 ditë minimumi, rreth 1 muaji, para se të kryhej autopsia”, tha Ukaj para trupit gjykues të këtij rasti, kryetar i të cilit është njëkohësisht edhe kryetar i Gjykatës Themelore të Pejës, Kreshnik Radoniqi.

Një pjesë e madhe e trupit të Donjetës, në momentin kur ajo u gjet pas 39 ditësh, veç se kishte munguar. Në konsultim me ekspertët ndërkombëtarë, në bazë të të dhënave që mjekësia ligjore i ka poseduar, mungesa e pjesës së epërme të trupit të Donjetës, dyshohet se ishte shkaktuar nga faktorët e jashtëm atmosferik, kafshimi i shpezëve dhe kafshëve. Por, lidhur më këtë, askush nga ekspertët profesionistë nuk kanë dhënë mendim të sigurt, pasi mungesa e trupit të saj ka pamundësuar që ata të japin pendime profesionale lidhur me këtë rast.

Kryetari i trupit gjykues pyeti ekspertin nëse autopsia ka konstatuar apo jo se trupi i Donjetës ka pasur shenja të dhunës. Por, në mungesë të indeve të buta në trupin e saj, eksperti Ukaj tha se ka qenë e pamundur të evidentohen gjurmë të dhunës fizike.

“Në mungesë të indeve të buta nuk ka qenë e mundur të evidentohen gjurmë të dhunës fizike dhe në këto raste, nuk mund të përjashtohet ushtrimi i dhunës fizike, mirëpo nuk mund të dëshmohet një gjë e tillë si gjurmë e vetme, të cilat janë evidentuar janë plagë hyrëse dhe dalëve në regjionin e kockave të kafkës të cilat janë edhe shkaku që ajo humbi jetën”, ka thënë eksperti Ukaj.

Derisa u bisedua në detaje lidhur me të gjeturat në trupin e vdekur të Donjetës, kryetari i trupit gjykues, pyeti nënën e Donjetës, se nëse do mund të largohet nga salla e gjykimit, nëse konsideron se nuk mund t’i përballojë pamjet nga autopsia, të cilat u prezantuan në seancën gjyqësore.

E ëma, megjithatë nuk dëshiroi të largohej, dhe kështu pa fotografitë e trupit të vajzës së saj, në momentin që ajo ishte gjetur në bjeshkët e Strellcit.

Sipas ekspertizës, u tha se Donjeta Pajazitaj ishte goditur me dy plumba në kokë, derisa pozita e saj e trupit në momentin që është goditur nga plumbat, Donjeta ka qenë në gjunjë.

“Të gjitha provat e evidentuara në vendin e ngjarjes, duke përfshirë edhe pozitën e saj, tani të ndjerës japin të kuptohet se ka qenë pozitë e detyruar nga dikush tjetër, mirëpo, megjithatë, për krejt këto fakte, neve na kanë munguar provat mjekoligjore që dëshmojnë se është ushtruar ndonjë dhunë”, dëshmoi eksperti.

Dëshmi për ngjarjen, për të akuzuarin Naser Pajazitaj, ka dhënë edhe bashkëshortja e tij, Dushe Pajazitaj.

Bashkëshortja e Naser Pajazitajt, Dushja, ka treguar se vajza e tyre e dytë, ka qenë në klasë me Donjetën dhe gjimnazin e kanë kryer bashkë.

Ato, ndonjëherë edhe janë shoqëruar, por jo shumë shpesh. Kështu tregoi bashkëshortja e të akuzuarit për krimin e Donjeta Pajazitajt.

Aktakuza e Prokurorisë Themelore të Pejës, thotë se Donjeta derisa ka qenë duke shkuar në punë në këmbë, aty ka kaluar Naser Pajazitaj me veturën e tij, e ka marrë të ndjerën dhe e ka dërguar në bjeshkët e Strellcit, aty ku edhe e ka qëlluar.

Në vendin e quajtur “Drum”, bashkëfshatarët ishin mbledhur për të shkuar tek varrimi i Shefqet Zeqës, i cili kishte vdekur në ditën kur ishte zhdukur Donjeta Pajazitaj.Dëshmitarët, në seancat e gjykimit të parë, patën thënë se e kanë parë Donjetën tek sa kalonte andej, dhe ka vazhduar rrugën për të lagjja e “Jusajve”.

Në varrimin e Shefqet Zeqës, sipas dëshmisë së bashkëshortes së të akuzuarit, Dushës, Naseri ka qenë i pranishëm. Ajo, tregoi se si e ka kaluar Naseri atë ditë të tërë, para se të nisej për tek varrimi.

“Naseri ka qenë në shtëpi, paradite ka shku me Arjetën me shiku me i ndreq disa dokumente se e kam feju, nuk më kujtohet sa ka qenë ora. Kanë ardhë në shtëpi, pastaj ka qenë varrimi i Shefqetit, me vëllezër të vetë ka dalë me shku në varrim. Ka dalë me xhip, nuk më kujtohet në sa ora, por më ka thanë që po shkojnë në varrim të Shefqetit”, deklaroi dëshmitarja Pajazitaj.

Ajo u pyet edhe për momentin kur është kthyer i akuzuari në shtëpi pas varrimit dhe për të gjitha ato që i ka bërë ai.

Bashkëshortja e të akuzuarit tha se Naseri pas varrimit është kthyer në shtëpi, kanë pirë kafe, dhe më pas janë nisur për në Pejë rreth orës 15:30.

Në qytet, kur kanë shkuar tek Stacioni i Trenit, dëshmitarja tregon se Naseri i ka thënë “kqyre kjo kushërina ku tek osht”. Fjala ishte për Donjetën, tha ajo.

“…e kam kthy kryt e kam pa një flokëbardhë krahë për krahi me një djalë, por kerri ka qenë në shpejtësi dhe nuk e di kush ka qenë…”, dëshmoi bashkëshortja e Naserit, Dushe Pajazitaj.

E për zhdukjen e Donjetës, dëshmitarja tha se ka dëgjuar nga Naseri, pasi sipas saj, atij i kishin treguar për zhdukjen e Donjetës në të pame, ditën e nesërme nga varrimi i Shefqet Zeqës.

“Pas 3-4 dite kemi shku me Naserin në shtëpi të saj, pastaj përsëri kam shku, pastaj edhe në varrim dhe më nuk kemi qenë”, ka treguar dëshmitarja për vizitat e tyre tek familja e Donjetës pasi ajo nuk gjendej askund, deri në ditën e gjetjes së trupit të saj pa shenja jete.

Naser Pajazitaj, ishte arrestuar në të pame të hapur nga familjarët e Donjeta Pajazitajt, e cila veç ishte gjetur pa shenja jete në bjeshkët e Strellcit.

E sipas asaj që tha Dushja gjatë kësaj seance, se bashkë me Naserin derisa po udhëtonin në Pejë në ditën kur Donjeta ishte zhdukur, se e kishin parë me një person të kapur krahë për krahu, dëshmitarja deklaroi se nuk i kishte treguar askujt, pasi tha se nuk e ka parë me sytë e saj, por vetëm se e kishte parë një vajzë me flokë të bardha.

“Pse me i thonë dikujt kur unë nuk e kam pa, nuk kam folë, nuk kom pas çka kur nuk e kam pa me sytë e mi”, tha ajo.

Dëshmi për këtë rast ka dhënë edhe miku i Naser Pajazitajt, Zeqir Zeqaj.

Zeqaj dha dëshminë e tij sa i përket ditës së varrimit të Shefqet Zeqës, ditën kur Donjeta është shpallur e zhdukur.

A ishte Naseri bashkë me Zeqirin në varrimin e Shefqetit, si kanë qëndruar, sa kanë qëndruar dhe të gjitha rreth asaj dite, miku i të akuzuarit ka dëshmuar në Gjykatën Themelore të Pejës.

“Në varreza në anën e djathtë në karrige e kam pa ulur Naserin, jam 99.99% i sigurt”, tha Zeqaj.

Për rrugëtimin e tyre në Pejë, ku ishte edhe Zeqir Zeqaj bashkë me bashkëshorten e Naserit, Dushen dhe me të akuzuarin, ditën kur u zhduk Donjeta, ai ka thënë në gjykatë se nuk e ka dëgjuar Naserin të ketë thënë se e ka parë Donjetën tek Stacioni i Trenit.

Por, dëshmitari kështu nuk kishte deklaruar në dëshminë e tij të vitit 2016.

Prokurorja Valbona Haxhosaj, e ballafaqoi atë me deklaratën e dhënë në prokurori më 25 maj 2016, ku kishte deklaruar se “Naseri deklaronte se mu ga si Donjeta, e bashkëshortja e tij i tërheki vërejtjen tu i thanë ku e pave ti nëpër terr?”.

Kurse, në dëshminë e tashme, tha se nuk është e vërtetë kjo, pasi tha se nuk e ka dëgju Naserin duke thënë diçka të tillë.

Ndërsa dëshmitari tjetër Qamil Pajazitaj tha se Naser Pajazitajn nuk e kishte parë në varrim e as te vendi i quajtur “Drumi”, aty ku nga dëshmitarët e tjerë u tha se ishin nisur për tek varrimi i Shefqet Zeqës.

“Atë ditë me Donjetën e kemi bërë një copë rrugë, por për zhdukjen e saj e kam kuptuar pas dy ditësh në media”, tha dëshmitari Qamil Pajazitaj.

Në maj të vitit të kaluar, Gjykata e pati shpallë Naser Pajazitajn të pafajshëm për krimin e Donjeta Pajazitajt, ndërsa e pati shpallur fajtor nën akuzën për armëmbajtje pa leje. Ai u dënua me 2 vjet e 4 burg vetëm për këtë vepër.

Prokuroria pretendon se Naser Pajazitaj, ka gjuajtur me mjet zjarri në një aheng të familjes Mahmutdemaj, të cilët dëshmitari tjetër, që foli në seancë, Ajdin Kamishaj i kishte nipa.

Dy muaj para se të kryhej krimi ndaj Donjetes, një video ishte postuar në rrjetin social Facebook, ku shihej Naseri duke shtënë me mjet në dorë. Kështu pretendon prokuroria, dhe sipas asktakuzës, thuhet se në shtëpinë e Naserit është gjetur një kallëf i mjetit, por jo edhe mjeti.

Prokuroria pretendon se Naser Pajazitaj e ka vrarë Donjeta Pajazitajn me atë mjet, me të cilën kishte shtënë në ahengun e familjes Mahmutdemaj.

Por, kur dëshmitari Ajdin Kamishaj, i cili ishte i pranishëm në atë aheng dy muaj para krimit të Donjetës, u pyet se a ka gjuajtur dikush me armë atë natë, ai u përgjigj se ka qenë totalisht i dehur, se nuk i kujtohet asgjë.

Lidhur me këtë aheng, lidhur me pikërisht këtë ngjarje që prokuroria e pretendon se ka ndodhur, se Naseri ka gjuajtur me armë atë natë, u deklarua edhe dëshmitari tjetër Idriz Gashi, i cili është.

Dëshmitari Gashi, deklaroi para gjykatës së Naseri ka shtënë me armë në ahengun e Mahmutdemajve, aheng ky i organizuar pasi kjo familje kishte ndërtuar shtëpi të re.

“Naseri ka gjuajt, atë e kam pas përballë në tavolinë, tavolina ka qenë e gjatë”, tha dëshmitari Gashi.

Gjatë këtij deklarimi, deklarohet edhe i akuzuari Naser Pajazitaj, i cili mohon se atë natë e ka pasur armën me vete dhe se as që i kujtohet se Idriz Gashi ka qenë i ulur përballë tij. Ai gjithashtu e mohon se ka shtënë me armë zjarri atë natë.

Ditën e shpalljes së aktgjykimit për këtë rast në majin e vitit të kaluar, vëllai i Donjeta Pajazitajt, Shkelqim Pajazitaj, i pakënaqur me vendimin e gjykatës, me të dalë nga salla e gjykimit pati shqelmuar derën, ku edhe përfundoi i kapur nga Policia.

Edhe nëna e Donjeta Pajazitajt, Lumnija, ishte shprehur e zhgënjyer me aktgjykimin rreth vrasjes së vajzës së saj.

Sipas aktakuzës, derisa e ndjera ka qenë duke shkuar në punë në këmbë, aty kalon i pandehuri me veturën e tij, e merr të ndjerën, e dërgon në bjeshkët e lartcekura, ku fillimisht e privon nga jeta duke shtënë dy herë në kokën e saj, e më pas për të humbur gjurmët të njëjtën e mbulon me disa drunj dhe largohet nga vendi i ngjarjes. Trupi i të ndjerës gjendet pas më shumë se një muaji.

Gjykata Themelore në Pejë e ka shpallur Naser Pajazitajn të pafajshëm në akuzën për vrasjen e Donjeta Pajazitajt në vitin 2015 ndërsa e ka dënuar me 2 vjet e 4 muaj burg në akuzën tjetër për armëmbajtje pa leje.

Donjeta Pajazitaj ishte gjetur e vdekur në bjeshkët e Strellcit të Deçanit në dhjetor të vitit 2015, gjashtë javë pasi ishte raportuar e zhdukur nga familjarët.

Aktakuza ndaj Naser Pajazitajt thotë se derisa Donjeta Pajazitaj ishte duke shkuar në punë, i akuzuari kishte ndalur veturën dhe e kishte marrë atë “duke ecur në këmbë në drejtim të fshatit Strellc i Epërm”.

“Kur arrin te “Kroni i Lajthisë” fillimisht e privon me armë dhe duke shtënë dy herë në kokë e me pas për të humbur gjurmë të njëjtën e mbulon me disa drunj, dhe largohet nga vendi i ngjarjes”, kishte thënë prokuroria në njërën nga seancat gjyqësore.

Përveç veprës penale të krimit së rëndë, Naser Pajazitaj akuzohet edhe për dy vepra tjera të armëmbajtjes pa leje.

Në njërën nga seancat gjyqësore të këtij rasti, vëllai i Donjeta Pajazitajt e kishte grushtuar të dyshuarin për krimin, Naser Pajazitaj, derisa ky i fundit po largohej nga salla e gjyqit.

Që kur ky rast është kthyer në rigjykim, i akuzuari Naser Pajazitaj, gjendet në liri.

Komento: