
Më 25 gusht Asociacioni i Komunave të Kosovës ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese, Ligjin për Tatimin në Pronë.
Ky ligj parasheh faljen e 100 eurove të tatimit për qytetarët.
Dorëzimi i kërkesës për vlerësimin e ligjshmërisë së këtij ligji e bëri drejtori i AAK-së, Sazan Ibrahimi dhe kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj.
Kjo kërkesë është miratuar sot nga Gjykata Kushtetuese.
Gjykata ka bërë të ditur se ka miratuar kërkesën e Komunës së Prizrenit për masën e përkohshme lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 5 të Ligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme i cili ka hyrë në fuqi më 16 gusht 2023.
Lidhur me këtë vendim, ka reaguar kryetari i komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, të cilët e kanë miratuar ditë më parë faljen e 100 eurove të tatimit në pronë.
Gashi ka thënë për Front Online se komuna e tij është prapa pas çdo vendimi të Gjykatës.
“Ne e kemi kuvendin dhe ekzekutivin në këtë rast kuvendi e ka aprovuar dhe e mbështetim vendimin e Kuvendit. Shpresoj që Gjykata del me një vendim përfundimtar dhe cili do të jetë ne jemi prapa vendimit të Gjykatës”, u shpreh Gashi.
Masa e përkohshme është miratuar nga Gjykata deri më 30 nëntor.