
Trajneri i Bayern Munich, Vincent Kompany, ka kritikuar ashpër Jose Mourinho, duke thënë se portugezi bëri një “gabim të madh” me komentet e tij pas incidentit të dyshuar racist ndaj Vinicius Junior.
Sulmuesi i Real Madridit shënoi golin e vetëm në fitoren e mesjavës në Ligën e Kampionëve ndaj Benfica, por gjatë rikthimit në qendër të fushës u përball me një koment të dyshuar racist nga anësori i Benficës, Gianluca Prestianni.
Argjentinasi i ka mohuar akuzat dhe është mbështetur fuqishëm nga klubi i tij. Mourinho, i cili foli me Vinicius gjatë ndërprerjes 10-minutëshe të ndeshjes, vendosi të mbrojë lojtarin e vet, por njëkohësisht ia atribuoi përgjegjësinë brazilianit.
Ai deklaroi se i kishte thënë Viniciusit të festonte dhe të kthehej në vendin e tij, duke shtuar se figura më e madhe në historinë e klubit, Eusebio, ishte me ngjyrë dhe se Benfica nuk është klub racist.
Këto komente shkaktuan reagim të fortë nga Kompany.
“Pas ndeshjes ke një lider si Jose Mourinho që në thelb sulmon karakterin e Vinicius Jr duke përdorur festimin për të diskredituar atë që ai po bën në këtë moment”.
“Për mua, në aspektin e lidershipit, është një gabim i madh dhe diçka që nuk duhet ta pranojmë”.
Megjithatë, Kompany theksoi se nuk po e gjykon Mourinhon si person, duke kujtuar reputacionin e mirë që portugezi gëzon mes ish-lojtarëve të tij, por shtoi se në këtë rast ai “ka bërë një gabim”.
Ndërkohë, UEFA dhe qeveria portugeze kanë nisur hetim për incidentin.