E parkoi veturën keq në Prishtinë, EULEX reagon për zyrtarin e saj

15:08 | 23 Tetor 2021

EULEX ka reaguar pas një rasti që ka ndodhur në rrugën C.

Misioni i EULEX-it në Kosovë ka dënuar sjelljen e zyrtarit të tyre për parkimin e gabuar të veturës zyrtare.

Pas një sërë raportimesh të qytetarëve nëpër rrjete sociale, EULEX-i në Twitter ka dënuar veprimin e zyrtarit të tyre dhe janë zotuar se do të marrin masa disiplinore ndaj tij.

“E dënojmë me termat më të fuqishëm sjelljen e anëtarit të stafit të EULEX-it, i cili është parë duke e parkuar veturën në mënyrë jo të duhur në Prishtinë. Ne garantojmë se do të marrim masa të duhura disiplinore. E falënderojmë qytetarin e Kosovës që e solli këtë rast në dritë për sjelljen e tij të përgjegjshme”, thuhet në postimin e EULEX-it.
Kujtojmë, se në një video e postuar në Facebook nga “Vrojtuesit e lagjes”, dëgjohet teksa një qytetar i Kosovës e pyet zyrtarin e EULEX-it, që ka parkuar veturën në zonë ku s’është e lejuar, se “a e parkon veturën kështu në shtetin tuaj?”

Përgjigja e zyrtarit ndërkombëtar ka qenë “Parkoj kështu në Kosovë”.

Rasti ka ndodhur në Rrugën C.

Komento: