E pazakontë/ Bojkotimi i seancave të Kuvendit nga deputetët e VV-së, shkelen tri dokumente të rëndësishme të Kosovës

08:08 | 31 October 2024
e-pazakonte/-bojkotimi-i-seancave-te-kuvendit-nga-deputetet-e-vv-se,-shkelen-tri-dokumente-te-rendesishme-te-kosoves

Tri seancat e fundit të Kuvendit të Kosovës janë bojkotuar nga deputetët e Lëvizjes “Vetëvendosje”, ndonëse të njëjtat janë thirrë me iniciativë të opozitës.

Bojkoti ndodhi gjatë seancave që trajtonin çështjet si: Komunikimet e Mimoza Kusari-Lilës me kryeterroristin Milan Radoiçiq, mungesën e ushqimit në Forcën e Sigurisë (FSK) dhe procesin e përllogaritjes së borxheve të kompanive të ambalazhuese të ujit.

Për monitoruesit e punës së Kuvendit një bojkot i tillë nga shumica parlamentare përbën shkelje të Kushtetutës, përderisa për deputetët që janë pjesë e disa legjisltaturave kjo gjë nuk ka ndodhur në të kaluarën.

Ish-nënkryetari i Kuvendit: Deputetët e “Vetëvendosjes” janë adoleshentë politik

Ish-nënkryetari i Kuvendit, njëherësh njëri ndër deputetët më të vjetër të Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Xhavit Haliti, ka deklaruar se asnjëherë më parë nuk ka ndodhur një bojkot i tillë.

Haliti u shpreh për “Front Online” se mungesa e tepërt e pozitës çon Kuvendin në shpërbërje.

“Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë në Kosovë. Është përgjegjësi e madhe me i sabotuar seancat dhe mos me i votuar projektligjet. Nga bojkotimi i seancave, parlamenti duhet të shpërndahet”, u shpreh Haliti.

Deputeti Haliti thotë  për mazhorancën se janë adoleshentë politik.

Tutje, ai tha se “Vetëvendosja” po e humb elektoratin duke mos u ballafaquar me opozitën.

“Janë akoma adoleshent politik dhe kanë papërgjegjshmëri të madhe pasi po ikin nga ballafaqimi me opozitën e kanë detyrim të përgjigjen para votuesve. VV po humb elektoratin duke mos ju përgjigjë akuzave të opozitës, kanë humbur besimin tek elektorati nga mos zbatimi i premtimeve”, tha Haliti për FrontOnline.

Veton Berisha: Kurrë s’ka munguar pozita në Kuvend sa isha deputet

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komuniteteve, Veton Berisha, deklaron se në legjislaturat e kaluara asnjëherë s’ka munguar pozita, siç po ndodh me pushtetin aktual.

“Tri mandate kam qenë deputet dhe ka qenë obligim të jemi prezent në Kuvend. Pozita gjithmonë ka qenë aty, asnjëherë s’ka ndodh si tash”, deklaroi Berisha.

Berisha tha për “Front Online” se aktualisht Kuvendi është pasiv si shkak i mungesës së shumicës parlamentare.

“Kjo praktikë që po ndodhë tash nuk do duhej të ndodhte. Është shumicë parlamentare dhe është dashtë me pas stabilitet për me i çuar proceset përpara. Pasivitet total i Kuvendit dhe nuk është në dobi të vendit”, u shpreh Berisha për “Front Online”.

Ish-deputetja e AKR-së: S’ka ndodhur në historinë e Kuvendit bojkoti i tri seancave, VV-ja se din vlerën e shtetit

Ish-shefja e Grupit Parlamentar të AKR-së, Myzejene Selmani, ka kritikuar ashpër pushtetin aktual për mos prezencën e tyre në Kuvend pas thirrjeve të opozitës për seanca të jashtëzakonshme.

Selmani e quan absurde mos prezencën e mazhorancës në tri seanca.

Tutje, ajo thotë se asnjëherë në historinë e Kuvendit s’ka ndodh një gjë e tillë, sipas Selmanit, partia në pushtet nuk ja dinë vlerën shtetit.

“Tri seanca me i bojkotu, kjo është absurde dhe s’ka ndodhë në historinë e Kuvendit të Kosovës. Nuk ja dinë vlerën as shtetit as Kuvendit. Qytetari e humb besimin në institucionin më të lartë të vendit”, tha ajo.

Ish-deputetja e AKR-së deklaroi për “Front Online” se qytetarët duhet t’i dënojnë deputetët me vota për mungesën në seanca.

“VV nuk po i dinë kompetencat që i kanë Kuvendi është organi më i lartë dhe ata deputet e ministra që largohen nga seanca duhet të ndëshkohen nga qytetari. Pushteti duhet të jetë në gjendje gatishmërie nuk kanë dijeni pse janë në Kuvend”, u shpreh Selmani.

Naim Jakaj, IKD: Kur shumica parlamentare nuk merr pjesë në seanca të thirrura nga opozita shkelë Kushtetutën

Bojkoti i seancave parlamentare shkel Kushtetutën e Kosovës, vlerëson Naim Jakaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi(IKD).

Jakaj thotë për “Front Online” se partia në pushtet po shkelë tri dokumente të rëndësishme të Kosovës.

“Kur shumica parlamentare nuk merr pjesë në seancat plenare të thirrura nga opozita kemi të bëjmë me një situatë ku shkelet Kushtetuta e Kosovës, Ligji për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit dhe Rregullorja e Kuvendit. Grupi Parlamentar i LV-së, po i shkel të tre këto dokumente në mënyrë të hapur”, tha Jakaj.

Jakaj nga IKD-ja theksoi detyrimet e deputeteve që kanë karshi Kushtetutës dhe Ligjit.

 “Deputeti ka detyrimin të respektojë dispozitat kushtetuese dhe ligjin, të cilat përbëjnë bazën e funksionimit të një shoqërie demokratike. Ky obligim e vendos atë në një rol të rëndësishëm, ku veprimet dhe vendimet e tij duhet të reflektojnë vlerat dhe parimet e shtetit ligjor”.

Tutje, ai thotë se deputetët duhet të angazhohen për një qeverisje transparente dhe llogaridhënëse.

“Nga Kushtetuta dhe ligji deputeti vepron në përputhje me besimin që i është dhënë nga qytetarët. Ai duhet të jetë i përgjegjshëm ndaj tyre dhe t’i mbrojë interesat e tyre, duke u angazhuar për një qeverisje transparente dhe llogaridhënëse”.

Bojkoti i seancave siç po ndodh me “Vetëvendosjes” nuk ka ndodhur më herët, thotë Jakaj nga IKD.

“Në legjislaturat e kaluara nuk ka ndodhur bojkot i tillë, siç  po ndodh në Legjislaturën e VIII-të. Ka pasur raste kur është lëshuar salla në mes të një seance për ndonjë çështje që ka ndodhur në atë seancë”, u shpreh Jakaj për “Front Online”.

 

Komento: