
Në mungesë të librarive, marketet po shërbejnë si vende për shitjen e librave në Kaçanik.
Me dy sosh, shtëpitë botuese lidhen ujdi, të paktën sipas asaj që thotë kryetari, Besim Ilazi.
Kjo alternativë u pa si e duhura pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për të mos iu siguruar më vetë librat fëmijëve nga klasa e parë deri në të nëntën, por duke i rimbursuar për to me nga 80 euro prindërit.
“Librari mobile nuk kanë sjell në Kaçanik. Shtëpitë botuese kanë lidh ujdi me dy markete, sipas informatave jo zyrtare që kemi deri tash, për shitjen e librave. Shumica e nxënësve nuk do t’i kenë librat. E nisin mësimin pa to”, u shpreh Ilazi për Front Online.
Marketet e Kaçanikut do t`i shfrytëzojnë për blerjen e librave edhe qytetarët e Hanit të Elezit, komunës ngjitur me të.
As atje s`ka librari.
“Me libra është si në gjithë Kosovën, jemi duke bërë përpjekje si komunat tjera që me e siguru një librari mobile. Komuna jonë po furnizohet në Kaçanik. Mësimi fillon pa libra”, tregoi kryetari i Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi.
Shkaku i mungesës së librave, do të dëmtohen rreth 6 mijë nxënës filloristë sa janë gjithsej në dy komunat.
“Në Kaçanik dikund 4500 nxënës të shkollave fillore dëmtohen. Jemi vonë, gjithcka që është bërë me vonesë, urojmë me rikuperu këtë vonesë. Ne si komune i kemi bërë përgatitjet për nxënësit”, u shpreh kryetari Ilazi.
“Rreth 1250 nxënës po dëmtohen në Han të Elezit. Mesazhi im është keq që nuk ka vazhduar furnizimi me libra si deri tash”, u shpreh kryetari Ballazhi.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka njoftuar paratë e atyre që aplikuan për librat do të dalin para 1 shtatorit.
Platforma “e-Kosova” për aplikim për subvencionimin e teksteve shkollore dhe materialeve mësimore do të jetë e hapur deri në fund të muajit shtator./Front Online/