
Një rast tronditës i dhunës në familje është raportuar në Pejë, ku një vajzë ka denoncuar babain për dhunë brutale fizike, raporton Gazeta Sinjali.
Ngjarja ka ndodhur më 8 prill 2026, rreth orës 16:30, në rrugën “Dëshmorët e Peklenës”, ku viktima M.D rreth 25 vjeç është sulmuar nga babai i saj T. D rreth 56 vjeç.
Sipas deklaratës së viktimës, gjithçka ka nisur në kuzhinë, ku i dyshuari, nën ndikimin e alkoolit, i është drejtuar me fjalë provokuese dhe më pas ka filluar ta godasë dhe ta përplasë me kokë për muri.
Viktima ka arritur të largohet dhe të njoftojë familjarët, të cilët më pas kanë kontaktuar Policinë.
Ajo është dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa ka deklaruar se dhuna ka qenë e vazhdueshme dhe e paraportuar më herët, duke shtuar se ndihet e rrezikuar bashkë me familjen për shkak të gjendjes së përhershme të dehur të të dyshuarit.
I dyshuari, i cili ka rezultuar me 1.13 mg/l alkool, është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Për rastin janë njoftuar edhe Qendra për Punë Sociale dhe Mbrojtësi i Viktimave, ndërsa hetimet janë në vazhdim.