E pranon se nuk e bëri Suharekën siç kishte premtuar, Bali Muharremaj beson se do të bëhet sërish kryetar

20:44 | 26 Qershor 2021

Muharremaj pranon se nuk e bëri Suharekën siç kishte planifikuar, i bindur se do ta udhëheq prapë.

Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, i cili synon një mandat të dytë të krye të kësaj komune, ka thënë se nuk ka arritur ta sjellë Suharekën në atë pikë që ka dashur.

Ai, në një intervistë për lajmi.net, ka treguar pse nuk arriti ta bëjë Suharekën siç kishte planifikuar, derisa ka shtuar se ka realizuar të gjitha premtime e dhëna.

“Ndoshta nuk kam arrit me sjell Suharekën në atë pikë. Por, besoj që kam arritur me sjell dikun tek 80%. Kjo për asrye se unë çdo herë kam thënë, edhe pa u bë kryetar, se një mandat është pak, dy janë shumë dhe të tretin nuk është mirë me provu. Për një mandat pak kryetarë komunash munden me realizu krejt atë që kanë thënë. Unë po ju them në mënyrën më të siqertë se atë që kam premtuar e kam realizuar, ndoshta e kam tejkaluar atë që e kam thënë në fushatën e vitit 2017”, ka thënë ai.

“E kam dhënë një premtim, por çdo kryetar që kandidon në fillim nuk e dinë punën e Komunës. E kam premtu një kompani për ujërat e zeza, por ajo kompani është nën menaxhim të “Hidroregjionit”, që është kompani shtetërore që i jep llogari Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik. Përndryshe, të gjitha ato që i kam premtuar jemi në përfundim të realizimit”, ka shtuar Muharremaj.

Pavarësisht kësaj, Muharremaj shprehet i bindur se do të arrijë të fitojë besimin e qytetarëve të Suharekës edhe për një mandat në krye të Komunës.

Komento: