Javën që lamë pas, Gjermania mlodhi liderët botëror ku u mbajt një konfernecë për siguri.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, tha të martën se ligjvënësit amerikanë e kanë diskutuar me të javën që lamë pas në Munih të Gjermanisë, çështjen e pazgjidhur të vrasjes së tre shqiptaro-amerikanëve në mbarim të luftës në Kosovë.
Ai tha se në dy raste gjatë një takimi përgjatë konferencës së Munihut për siguri, ligjvënësit amerikanë kanë përmendur emrin e ish gjeneralit të policisë serbe Goran Radosavleviç Guri, por nuk kanë kërkuar ekstradimin e tij dhe nuk kanë dhënë prova për përfshirjen e tij në atë vrasje.
Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi, ishin pjesëtarë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht të batalionit Atlantiku, i përbërë nga shqiptarë që jetonin në Shtetet e Bashkuara, e të cilët ju bashkuan luftës në Kosovë.
Në muajin korrik të vitit 1999 ata janë arrestuar në rrethana të panjohura nga forcat serbe në afërsi të vendkalimit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Merdarë.
Një gjykatë në qytetin e Prokuples në Serbi, i kishte dënuar me nga 15 ditë heqje lirie nën akuzat për siç është thënë, kalim të paligjshëm të kufirit të ish Jugosllavisë.
Katër ditë para skadimit të dënimit, ata janë marrë nga burgu dhe janë dërguar në Petrovo Selo ku janë vrarë nga afërsia. Trupat janë gjetur në vitin 2001 në një varrezë masive me duar të lidhura me tela, në mesin e shumë trupave të civilëve shqiptarë që ishin dërguar atje në përpjekje për të fshehur gjurmët e mizorive të forcave serbe gjatë luftës në Kosovë.
Që nga vitit 2006 janë zhvilluar dy procese gjyqësore në lidhje me rastin e vëllezërve Bytyçi ndaj dy ish-policëve serbë, të cilët më pas janë lënë të lirë.
Një delegacion dypartiak i ligjvënësve amerikanë i kërkoi në Munih presidentit serb të ndërmarr veprime për të zgjidhur këtë çështje.
Në një deklarate të ligjvënësit amerikan Lee Zeldin thuhet se “derisa autoritetet serbe kanë hetuar vrasje e vëllezërve, nuk ka pasur akuza ndaj atyre që janë përgjegjës pavarësisht identifikimit të të dyshuarve dhe provave të gjetura”.
Presidenti serb tha të martën se “vrasja e vëllezërve Bytyçi ishte një krim i rëndë dhe Serbia po bën gjithçka për ta ndriçuar rastin dhe nuk do të mbrojë askënd që ka kryer krimin”.
Në muajin dhjetor të vitit që lamë pas Departamenti amerikan i shtetit i ndaloi hyrjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ish gjeneralit të policisë serbe për të cilin sic thuhej në njoftim, ekzistojnë dëshmi të besueshme se është përfshirë në vrasjen e vëllezërve Bytyçi, tre shqiptaro amerikanë, në vitin 1999.
Goran Radosavleviç, është një nga bashkëpunëtorët e ngushtë në partinë e presidentit serb Aleksandër Vuçiç.